06-11-2024

SBASHK-u i kërkon Qeverisë paga meritore për punëtorët e arsimit

“Punëtorët e arsimit duhet të kenë vend meritor në Ligjin e pagave”, thotë Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës.

Një delegacion i SBASHK-ut, i kryesuar nga kryetari Rrahman Jasharaj, është takuar sot me koordinatorin nacional për reforma shtetërore, Besnik Tahiri.

Sipas një kumtese të SBASHK-ut, ky takim është mbajtur me qëllim që të jenë të informuara nga dora e parë dhe saktë Qeveria dhe institucionet tjera të shtetit lidhur me kundërshtimin e bazuar të SBASHK-ut përkitazi me radhitjen degraduese dhe vlerësimin jomeritor të sektorit të arsimit në tabelën e Projektligjit të pagave dhe me qëllim që faktet e argumentet e SBASHK-ut që tregojnë se sektori i arsimit meriton radhitje tjetër dhe meritore të arrijnë në adresat e duhura.

“Delegacioni i SBASHK-ut e ka përsëritur edhe një herë vlerësimin e bazuar se punëtorët e arsimit duhet të kenë vend meritor në Ligjin e pagave. Ky delegacion ka përcjellë te z. Tahiri zërin e punëtorëve të tërë sistemit arsimor të Kosovës se nëse nuk përfillen faktet dhe argumentet e SBASHK-ut lidhure me këtë çështje tepër të ndjeshme, atëherë shtatori në Arsimin Parauniversitar dhe tetori në Universitete do të nisin me greva të përgjithshme”, thuhet nën njoftimin për media.

Sipas të njëjtës, koordinatori nacional për reforma shtetërore, Besnik Tahiri, ka dëgjuar me vëmendje shqetësimet e SBASHK-ut dhe ka marrë nga delegacioni i kësaj sindikate gjithë argumentet e ofruara duke premtuar gjithë këto do t’i analizojë me vëmendje dhe se do ta njoftojë kryeministrin Haradinaj dhe Qeverinë për çështjet e ngritura.

Ai thuhet të ketë deklaruar SBASHK-ut se duhen hequr dilemat se dikujt e në cilin do sektor a vend pune do t’i ulet paga, por si shtoi ai, ligji po përgatitet që të zgjidhet një herë e mirë e përmes ligjit çështja e pagave./kn/

 

Asnjë koment

Comments are closed.