Në një qendër tregtare, inspektorët e veterinarisë që veprojnë në kuadër të Komunës së Prizrenit kanë hasur në produkte ushqimore me afat të skaduar.
Në njoftimin e Komunës, thuhet se në këto raste, në bazë të procedurave subjekti afarist gjobitet pas procesverbalit. “Është brengosëse përgjegjësia e ulët e disa Qendrave të mëdha tregtare ndaj produkteve që shesin. Ndërmarrjet e mëdha afariste duhet të kenë edhe përgjegjësi më të mëdha ndaj qytetarëve. Rendi dhe ligji patjetër duhet të instalohet në Komunën tonë, ngase kjo papërgjegjësi i shkakton dëm shëndetit të qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Komuna paralajmëron se në të ardhmen do të bëjë publikë emrat e operatorëve. “Si masë e fundit do të bëjmë publike emrat e operatorëve ekonomik të papërgjegjshëm, që veprojnë në këtë komunën”, përfundon njoftimi.