Instagrami bën një ndryshim të madh
Instagrami ka prezantuar zyrtarisht “Instants”, një funksion të ri që u mundëson përdoruesve të ndajnë momente spontane dhe të pafiltruara me persona të caktuar.
“Instants” përshkruhet si një mënyrë e re për të shpërndarë fotografi të çastit me miqtë, ku fotot zhduken pasi shihen nga marrësit. Megjithatë, ato ruhen në arkivin privat të përdoruesit deri në një vit dhe më pas mund të rishpërndahen në formë përmbledhjeje në Stories.

Përdoruesit mund të reagojnë dhe t’u përgjigjen fotove, ndërsa përgjigjet dërgohen drejtpërdrejt në mesazhet private (DM).
Krahas funksionit të ri, Instagrami ka lansuar edhe aplikacionin shoqërues “Instants”, i cili ofron qasje më të shpejtë në kamerë. Aktualisht, po shpërndahet për pajisjet iOS dhe Android vetëm në disa shtete të përzgjedhura.

Funksioni “Instants” gjendet në këndin e poshtëm të djathtë të mesazheve direkte (DM) në Instagram dhe paraqitet si një grumbull i vogël fotografish.
Në pjesën e sipërme të djathtë të “Instants” ndodhet edhe arkivi privat, i cili është i dukshëm vetëm për përdoruesin.

