Ipeshkvi Gjergji: Krishti na mëson të mos lakmojmë të panevojshmen
Ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji gjatë meshës së sotme për Pashkët në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, ka deklaruar se është e dhimbshme të shihen se si njerëzit në vendin tonë sot jetojnë me errësirën e frikës, pasigurinë e jetës dhe pashpresën.
“Vetëm Krishti i ringjallur mund të na nxjerr nga këto, pasi na mëson që të mos lakmojmë të panevojshmen, të heqim dorë nga e padobishmja e të mos marrim atë që nuk na takon”, ka thënë Gjergji.
Mesha nisi me simbolikën e zjarrit që simbolizon ngrohjen e dashurisë hyjnore për botën dhe për të gjithë krijesat e tij dhe vazhdoi me disa lexime për jetën, mëkatet dhe veprat e Zotit.
Imzot Gjergji tha se nëpërmjet kësaj simbolike Kisha dëshiron të ftojë të gjithë njerëzit që të bashkohen rreth zjarrit të dashurisë hyjnore e t’i ngrohin zemrat e tyre, pasi sipas tij të gjithë kemi nevojë dhe të drejtë të bashkohemi rreth kësaj dashurie.