19-04-2024

Ish-drejtoresha e Inspektoratit thotë se ka marrë të gjitha masat për rrënimin e objektit pa leje

Ish-drejtoresha e Drejtorisë së Inspekcionit në Suharekë, Jehona Rrafshi- Lumi, e akuzuar për korrupsion, ka dhënë mbrojtjen e saj në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prizren, me ç’rast deklaroi se për rrënimin e objektit pa leje të investitorit Blerim Gashi, ka marrë të gjitha masat ligjore.

“Nuk është e vërtetë. Objekti është rrënuar në tërësi dhe për këtë ekzistojnë provat të cilat arsyetojnë veprimet e Drejtorisë. Janë marrë të gjitha masat ligjore për këtë rrënim dhe mendoj që është e pabazë kjo aktakuzë”, ka thënë e akuzuara Rrafshi- Lumi.

Këtë deklaratë, Rrafshi-Lumi e ka dhënë të mërkurën, në rastin ku e njëjta në cilësinë e Drejtoreshës së Inspekcionit në Suharekë, së bashku me inspektorin e ndërtimit, Hafir Maliqaj, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të saj, avokatit Klodian Krasniqi, Rrafshi- Lumi ka thënë se në pozitën e drejtoreshës ka qenë nga 1 maj 2018 deri më 24 nëntor 2021.

Ajo ka thënë se qëndron në tërësi pranë deklaratave që kishte dhënë në Polici dhe Prokurori.

Mbrojtjen e saj, e akuzuara Rrafshi-Lumi e ka bazuar në provat të cilat i kishte propozuar për të dëshmuar pafajësinë e saj. Ajo ka thënë se investitori Gashi me aktvendim është urdhëruar nga inspektori i ndërtimit që të ndalojë punimet si dhe të pajiset me leje ndërtimore.

Sipas saj, këtë aktvendim Gashi nuk e ka respektuar dhe për këtë ajo tha se më 27 maj 2020 ka bërë kërkesë për rrënimin e objektit afarist.  Ndërsa, tha se më 26 maj 2020 kishte nxjerrë konkluzion për rrënimin e objektit pa leje dhe rrënimi i tij ishte bërë më 29 maj 2020.

“Sa i përket përmbajtjes së procesverbalit me datë 29 maj 2020, gjegjësisht inspektori i ndërtimit ka bërë rrënimin e objektit afarist, i cili është ndërtuar pa leje ndërtimore dhe dokument teknik në lagjen Shirokë, ku është konstatuar se është bërë dëmtim i mjaftueshëm i objektit në fjalë”, ka thënë Rrafshi-Lumi.

Ndër të tjera, e akuzuara Rrafshi-Lumi ka thënë se ndaj investitorit Gashi është bërë kallëzim penal nga i akuzuari Maliqaj, për veprat penale të ndërtimit pa leje dhe heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare.

Rrafshi- Lumi ka treguar se pas rrënimit të objektit, investitori Gashi ka bërë rindërtim të objektit dhe se konkluzioni i nxjerrë më 2 nëntor 2020, ka paraparë rrënimin e objektit dhe se për këtë ka qenë i njoftuar edhe investitori.

E njëjta ka treguar se më 6 nëntor 2020, ishte paraparë të bëhej rrënimi i objektit, mirëpo përkundër kërkesave që i kishte bërë në kompaninë për rrënimin e objekteve pa leje, e kontraktuar “HORN & CO.KOSOVA” Sh.p.k me Komunën e Suharekës, ky rrënim nuk ishte realizuar duke iu arsyetuar se punëtorët e firmës ishin të izoluar me COVID 19.

Tutje, ajo tha se me kërkesën e 1 dhjetorit 2020 është bërë planfikimi nga kompania e lartcekur për rrënim të objekteve që më 7 dhjetor 2020, të bëhet rrënimi i dy objekteve afariste, atë në fshatin Shirokë dhe në fshatin Reshtan në Suharekë.

 

 

 

 

 

 

Mirëpo, Rrafshi- Lumi tha se më 7 dhjetor 2020 ka pranuar një vendim të 4 dhjetorit 2020 të nxjerrë nga kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, në bazë të së cilit vendim rrënimi objekteve nuk ishte realizuar.

Pas kësaj, me kërkesën e prokurorit Genc Nixha, seanca e sotme është ndërprerë, kurse ajo e radhës do të mbahet sipas ditarit të punës më 22 maj 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit të ngritur më 19 prill 2021, e akuzuara Jehona Rrafshi-Lumi ngarkohet me veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa i akuzuar Hafir Maliqaj, ngarkohet me dy vepra penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se akuzuara Rrafshi-Luma, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e pastaj nuk e përmbush detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër.

Aktakuza thotë se në vend të inspektorit të ndërtimtarisë ne cilësinë e drejtoreshës së Drejtorisë së Inspekcionit të Komunës se Suharekës, nxjerr konkluzion 09 Nr.109, të datës 26 maj 2020, e pastaj më 29 maj 2020 në vendngjarje ne parcelat kadastrale nr.2667-0 dhe 2685-0 , pronë e të dëmtuarës “AgroKosova – Holding ” , në rrugën “Ukë Bytyqi” në lagjen Shirokë të Suharekës,  nuk e rrënon në tërësi objektin afarist të ndërtuar pa leje, të investitorit Blerim Gashi dhe kësisoj i shkakton dëm material ose ia shkel të drejtat e të dëmtuarës.

Për këtë, ajo po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 e lidhur me paragrafin 3 pika 3.6 të KPRK-së.

Ndërsa, i pandehuri Hafir Maliqaj po akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare nuk i përmbush detyrat zyrtare me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër.

Sipas aktakuzës, pas datës 29 maj 2020, si inspektor i ndërtimtarisë në Drejtorinë e Inspekcionit të Komunës së Suharekës, nuk ndërmerr masa ligjore për pengimin e rindërtimit pa leje të objektit afarist, i ndërtuar nga investitori Blerim Gashi në parcelat kadastrale 2667-0 dhe 2685-0, pronë e të dëmtuarës “Agrokosova – Holding” në rrugën “Ukë Bytyqi”, në lagjen Shirokë të Suharekës, duke u mjaftuar vetëm me nxjerrjen me vonesë të një urdhër ekzekutimi të lëshuar nga drejtoresha e Drejtorisë së Inspekcionit 09 Nr.2076, më 30 nëntor 2020, pasi ka përfunduar ndërtimi dhe me këtë të dëmtuarës i është shkaktuar dëm material ose shkelur të drejtat e saj.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK-së.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Hafir Maliqaj si person zyrtar duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, në atë mënyrë që nuk vepron sipas urdhrit të aktvendimit të lëshuar vete më 20 gusht 2020, që në afatin e lejuar prej 15 ditëve të pajiset me leje ndërtimi.

Në aktakuzë thuhet se gjatë këtij afati njëherit ta mbikëqyrë dhe pengojë investitorin Xhevdet Rexhepin, pronar i objektit afarist “Viva Fresh” në fshatin Reshtan – Komuna e Suharekës, që të vazhdojë me ndërtim, por përveç që nuk e bën këtë, po ashtu del me vonesë në vend të ngjarjes më 28 shtator 2020, ku në procesverbalin e hartuar të datës 28 shtator 2020, pasi urdhëron ndërprerjen e punimeve në vend që të ndërmarrë masa që investitorit t’i lejojë afat për tretnim vullnetar e pastaj eventualisht për rrënim të detyrueshëm, përsëri i jep afat shtesë por tani më të gjatë prej 30 ditëve që të pajiset me leje ndërtimi, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm material komunës së Suharekës.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.