Ish-drejtori Baldedaj thotë se nuk e ka ditur që lidhja e kontratave me televizionet lokale është e jashtëligjshme

Ish-drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit, Ilir Baldedaj, ka deklaruar se nuk e ka ditur që lidhja e kontratave me televizionet lokale për të reklamuar aktivitetet komunale, mund të ishte e jashtëligjshme.

Pikërisht, për shkak të lidhjeve të këtyre kontratave, pa procedura tenderuese, ish-drejtori Baldedaj, tash akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prizren, gjatë marrjes në pyetje të të akuzuarit Baldedaj, ai ndër të tjera ka thënë se kur është emëruar si drejtor ka gjetur një praktikë të tillë të lidhjes së kontratave me televizionet lokale për reklamimin e produkteve komunale dhe të njëjtën e ka vazhduar, duke mos e ditur se është në kundërshtim me ligjin.

I akuzuari ka thënë se pasi që ka pranuar raportin e Auditorit të Përgjithshëm, në të cilin është bërë vërejtje në mënyrën e lidhjes së këtyre kontratave, ai më asnjëherë nuk ka lidhur kontrata të tilla, duke shtuar se kontratat e tilla janë shabllon dhe se nuk i ka përpiluar ai, por zyrtarët në kuadër të Zyrës së Prokurimit në Komunën e Prizrenit.

Baldedaj ka treguar se për t’u ekzekutuar një pagesë duhet të kalojë në disa zyre për kontroll e në fund urdhri shkon në Zyrën e Thesarit ku sipas tij, ka ndodhur që zyrtarja të kthejë mbrapa urdhërpagesat me arsye se nuk janë në rregull apo që nuk mund të ekzekutohen.

Ai, për fund, ka theksuar se të gjitha pagesat janë bërë muaj për muaj në vlera më të vogla se 1000 euro, andaj edhe nuk është shkuar me procedura tenderuese, duke shtuar se nuk ka asnjë faturë të urdhëruar për pagesë nga ai, e që kalon shumën prej 1000 euro.

Gjatë seancës të së premtes, eksperti financiar Bashkim Uka, ka elaboruar ekspertizën e tij të bërë në këtë rast, duke thënë se ekspertiza e tij me atë të ekspertit Agim Sheqeri, dallon në shumën totale të cilën pretendohet se televizionet lokale kanë përfituar nga i akuzuari.

Sipas ekspertit Uka, shuma totale e përfitimit të televizioneve lokale nga reklamat që ka porositur i akuzuari në cilësinë e Drejtorit të Administratës së Përgjithshme të Komunës së Prizrenit, është 17.100 euro e jo si ka thënë eksperti paraprak prej 75 mijë euro apo 35 mijë euro.

Eksperti ka thënë se gjatë përpilimit të ekspertizës ka hasur në shumë urdhra pagese ku drejtori të ndryshme kanë paguar në emër të drejtorive tjera, andaj ka ndarë vetëm pagesat që janë bërë televizioneve për të reklamuar produkte të drejtorisë ku ka qenë përgjegjës i akuzuari, pa marrë parasysh se nga cila drejtori janë paguar.

Ndërsa, sa i përket lidhjes së kontratave edhe ky ekspert sikurse i pari, ka deklaruar se për të njëjtat është dashur të hapet tender sepse vlera e kontratave ka kaluar shumën prej 1000 mijë euro, pasi që vetëm deri në 1000 euro mund të bëhen pagesa pa procedura të prokurimit.

Kurse, në këtë seancë mbrojtja e të akuzuarit Ilir Baldedaj, ka kërkuar që në cilësinë e dëshmitarit të ftohet, ministri aktual i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.

Avokati i të akuzuarit, Miftar Qelaj, përveç ministrit Gashi, ka propozuar që të dëgjohen edhe ish-drejtorët e Komunës së Prizrenit, Hasan Hasani, Njazi Kryeziu dhe Ertan Simitqi, duke arsyetuar se të njëjtit me dëshmitë e tyre, do të tregojnë se ka qenë praktikë e komunës mënyra se si klienti i tij, ka vepruar në lidhje me kontratat për të cilat akuzohet.

Prokurori i rastit, Mehdi Sefa, ka kundërshtuar propozimin e avokatit, me arsye se përgjegjësia penale është individuale dhe personat e përmendur nga avokati mund të bëhen pjesë e një hetimi për shkak të shkeljeve të njëjta të tyre që janë evidentuar nga ekspertët gjatë këtij gjykimi.

Mirëpo, trupi gjykues, ka refuzuar një propozim të tillë, duke u arsyetuar se edhe raporti i auditimit e po ashtu edhe ekspertizat financiare tregojnë se Gashi, Hasani, Kryeziu dhe Simitqi, kanë vepruar në të njëjtën formë si i akuzuari andaj të njëjtët me përgjigjet e tyre mund ta inkriminojnë vetveten.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, seancën e radhës në këtë çështje penale e ka caktuar për 23 maj 2018, në ora 14:30, në të cilën palët në procedurë do të japin fjalët e tyre përfundimtare.

Ndryshe, Ilir Baldedaj akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prizren, se gjatë periudhës gusht 2015 – dhjetor 2016, duke vepruar në cilësinë e drejtorit të Administratës Komunale të Prizrenit, ka lidhur kontratë me tri televizione lokale për të reklamuar shërbimet komunale.

Sipas aktakuzës, Baldedaj kontratat i ka lidhur me televizionet lokale pa procedura tenderuese dhe nga ekspertiza financiare ka rezultuar se pagesat për këto televizione janë më të mëdha se që janë paraparë në kontratë, duke dëmtuar buxhetin e Komunës së Prizrenit, në shumë prej rreth 70 mijë euro.

Aktakuza tutje përshkruan se televizionit “Opinion” i janë paguar rreth 37 mijë euro më shumë se pagesa e paraparë sipas kontratës, televizionit “Besa” rreth 25 mijë euro dhe televizionit “Prizreni” rreth 10 mijë euro./Betimiperdrejtesi/