Ish-drejtori i Financave kërkon kthimin në ekzekutiv
Posti i drejtorit të Financave në Komunën e Prizrenit ka mbetur vakant që prej muajit gusht të këtij viti, kur ish-drejtori Ertan Simitçi i KDTP-së pati dhënë dorëheqje për shkak të një aktakuze të ngritur ndaj tij nga Prokuroria.
Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, prej asaj kohe nuk ka emëruar drejtues tjetër në këtë dikaster komunal. Ndërsa së fundmi, ish-drejtori Simitçi ka bërë kërkesë te shefi i ekzekutivit lokal, sikurse edhe te KDTP-ja, për t’u kthyer në këtë pozitë, shkruan sot Koha Ditore.
Simitçi ka konfirmuar për gazetën dorëzimin e kërkesës në këto adresa. “Po, kam bërë kërkesë te kryetari i Komunës dhe organet e partisë për me u kthye në vendin e punës si drejtor i Financave. Shpresoj që për një kohë të shkurtër të marr përgjigje pozitive”, ka thënë Simitçi.
Ai ka theksuar se këtë kërkesë e ka bërë për faktin se procedura gjyqësore ndaj tij po zvarritet, ndërkohë që edhe Kushtetuta e Kosovës parasheh që çdo person i akuzuar për vepër penale “prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij në pajtim me ligjin”.
“Jam i gatshëm me u kthye në vendin e punës si drejtor i Financave, pasi procedura gjyqësore po zvarritet. Jam në gjendje me krye detyrën deri në përfundimin e procedurës gjyqësore me vendim të plotfuqishëm, pasi që edhe Kushtetuta parasheh prezumimin e pafajësisë për personin e akuzuar”, ka deklaruar Simitçi.
Sinjale për një kthim të mundshëm të Simitçiut në ekzekutivin lokal ka dhënë edhe kryetari i Komunës, Mytaher Haksuka, gjatë paraqitjeve mediale në javën e shkuar, me ç’rast pat theksuar se për këtë çështje nevojiten konsulta edhe me KDTP-në. /k.net