Ish-kryeshefi i KPM-së dënohet me dy vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Luan Latifi, i akuzuar për marrje ryshfeti, duke e dënuar me 2 vite burgim efektiv dhe 5 mijë euro gjobë.

Aktgjykimi u shpall të martën nga kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, Latifit iu shqiptua edhe dënim plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 3 vitesh.

Në dënimin e shqiptuar me 2 vite burgim, Latifit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Kurse, dënimin me gjobë në shumën 5 mijë euro, obligohet ta paguajë në afat prej 30 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Nëse i njëjti nuk e paguan dënimin me gjobë, ky dënim i zëvendësohet me burgim, duke iu llogaritur 20 euro për një ditë burgim.

Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh pas pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar brenda afatit ligjor.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 nëntor 2021, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj dy të akuzuarve Luan Latifi dhe Arben Bilalli, duke e refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës ndaj të akuzuarit Latifi dhe po ashtu kishte ndërprerë masën e arrestit shtëpiak ndaj tij dhe të akuzuarit Bilalli.

Ndërsa, pas ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit Latifi, avokatit Driton Musliu, Gjykata e Apelit ka anuluar vendimin e shkallës së parë, me të cilën ishte konfirmuar aktakuza për korrupsion ndaj të akuzuarit Latifi dhe e kishte kthyer çështjen në rivendosje.

Pas kthimit në rivendosje nga Gjykata e Apelit më 17 nëntor 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë më 2 dhjetor 2021 ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës të ushtruar nga mbrojtësi i të pandehurit Latifi dhe më pas më 23 dhjetor 2021, Apeli ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë për konfirmim të aktakuzës.

Në seancën e mbajtur më 25 korrik 2022, Bilalli kishte pranuar fajësinë, dhe ishte veçuar procedura ndaj tij, ndërsa Latifi ishte deklaruar i pafajshëm.

Për të akuzuarin Arben Bilalli, ish-drejtorin e Administratës të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), gjykata ka shqiptuar dënim prej 140 ditë burgim efektiv dhe 12 mijë euro gjobë.

Aktakuza e ngritur më 15 shtator 2021, ngarkonte Luan Latifin se në cilësinë e kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) dhe Arben Bilalli, në cilësinë e drejtorit të Administratës dhe Financave në KPM, gjatë qershorit 2021, kishin kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Elhami Haziri, pronar i kompanisë “Telkos”.