25-04-2024

Ish-përfaqësuesit ligjorë të Prizrenit kundërshtojnë aktakuzën për korrupsion

Arben dhe Shqipëron Krasniqi përmes mbrojtësve të tyre, kanë kundërshtuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prizren, në seancën e shqyrtimit të dytë të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prizren.

Ata po akuzohen se kanë bërë këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit, në kundërshtim me ligjin në fuqi dhe aktvendimin e Gjykatës së Prizrenit.

Mbrojtësit e të pandehurve Arben dhe Shqipëron Krasniqi, avokat Driton Shehu dhe avokat Bestar Kolgeci dorëzuan kundërshtimet e tyre ndaj aktakuzës si dhe kërkesën për hudhjen poshtë të aktakuzës në formë të shkruar në kopje të mjaftueshme për gjykatën.

Pas kësaj, ata elaboruan gojarisht arsyet se pse kjo aktakuzë duhet hudhur poshtë.

Edhe të akuzuarit Arben Krasniqi dhe Shqipëron Krasniqi u deklaruan lidhur me aktakuzën, duke thënë se kjo aktakuzë është ngritur në bazë të supozimeve duke shtuar se gjatë intervistimit iu janë parashtruar pyetje kapcioze dhe sygjestive duke u pyetur për llojin e veturës të cilën e vozisin. Po ashtu deklaruan se nuk është vërtetuar koha e kryerjes së veprës penale.

Pas kësaj, Prokurorja e shtetit, Arijana Shajkovci ka plotësuar aktakuzën duke shtuar se koha e kryerjes së veprës penale është periudha janar-shkurt 2019 dhe në fund kërkoi nga gjykata që kërkesat për hudhjen e aktakuzës të hudhen poshtë si të pabazuara dhe të mos aprovohen.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha ka deklaruar se lidhur me kërkesën e mbrojtjes do të marrë vendim të shkruar dhe të arsyetuar.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur në gusht të këtij viti, të akuzuarit Arben dhe Shqipëron Krasniqi ishin deklaruar të pafajshëm ndaj aktakuzës  së Prokurorisë Themelore në Prizren.

Aktakuza e ngritur më 11 qershor 2021 nga Prokuroria Themelore në Prizren, ngarkon Arben Krasniqin si udhëheqës i Sektorit Ligjor të Komunës së Prizrenit dhe Shqipëron Krasniqin si përfaqësues ligjor i Komunës së Prizrenit, që të dy si persona zyrtar, në bashkëkryerje, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, tejkalojnë kompetencat e tyre zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër.

Kjo në atë mënyrë që Shqipëron Krasniqi, në procedurën jashtëkontestimore të zhvilluar pranë Gjykatës Themelore në Prizren, nuk e kundërshton propozimin e propozuesit, V.J., për rregullimin e megjeve, kundër kundërpropozuesit – Komuna e Prizrenit, lëndë kjo e evidentuar me nr. C.nr 521/18, në të cilën procedurë ai kishte përfaqësuar Komunën  e Prizrenit e në të cilën procedurë një pjesë e ngastrës kadastrale 3036-4 ZK Prizren- pronë e Komunës se Prizrenit, këmbehet me një pjese të ngastrës kadastrale 3038-0- ZK, pronë e propozuesit V.J., e gjithë kjo në kundërshtim me Ligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës, me Nr.04/L-144 dhe atë me nenin 11.

Të akuzuarit pas pranimit të vendimit nga Gjykata Themelore në Prizren në lëndën C.nr 521/18 të datës 30 janar 2019 bëjnë shënim zyrtar sipas të cilit nuk ushtrojnë ankesë ndaj këtij vendimi dhe lëndën e vendosin  në A/A (adacta/e kryer) dhe pas kësaj propozuesi V.J pajisjet me leje ndërtimore ku atij i mundësohet ndërtimi i objektit banesor “Aneksi i ri Euro Center”.

Për këtë ata po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 i Kodit Penal, për të cilën vepër penale është i paraparë dënimi prej 6 muaj deri në 5 vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohet të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.