26-04-2024

Ish-polici i dënuar me burgim të përjetshëm pendohet për vrasjen e 32-vjeçarit nga Suhareka

Instanca më e lartë gjyqësore në Kosovë pritet që brenda 30 ditëve të vendosë për ligjshmërinë e dënimit me burgim të përjetshëm ndaj ish-policit Shefki Spahiu, i dënuar për vrasje të rëndë dhe manipulim me prova. Në Gjykatën Supreme është mbajtur seancë publike, pas ankesës së avokatit të Spahiut, i cili ka thënë se Gjykata Themelore e Prizrenit e ajo e Apelit kanë bërë shkelje të shumta dhe se është dashur që klientit të tij t’i bëhej ekzaminim mendor
“Më vjen keq për rastin, nuk ka ndodhur me ndonjë planifikim, por ka ndodhur në gjendje të afektit mendor, unë u kërkoj falje familjes dhe të gjithë popullit”, kështu është shprehur ish-zyrtari policor i dënuar me burgim të përjetshëm, Shefki Spahiu, gjatë seancës në Gjykatën Supreme.Spahiu në Speciale është paraqitur këtë të enjte, pasi mbrojtja e tij është ankuar ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Prizrenit dhe asaj të Apelit për dënim me burgim të përjetshëm.

Shefki Spahiu, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, në shtator të vitit të kaluar, me aktgjykim të Gjykatës Themelore të Prizrenit, u shpall fajtor për veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Manipulim me prova”, për vrasjen e 32-vjeçarit Jetmir Aliaj nga fshati Mushtisht i Suharekës, në vendin e tij të punës, në marsin e vitit 2019.

Këtë aktgjykim e ka vërtetuar edhe Gjykata e Apelit, muajin e kaluar.

Emrush Kastrati, avokat mbrojtës i Spahiut, tha se kishte kërkuar që klientit të tij t’i bëhet ekzaminim psikiatrik, por që Gjykata e Prizrenit nuk e kishte pranuar.

“Asnjë provë të mos aprovohet nga mbrojtja për mua si profesionist nuk është në rregull dhe është shkelje e të drejtave. Është dashur të aprovohen propozimet e mbrojtjes për dërgimin në ekzaminim për gjendjen mendore të të akuzuarit dhe dëgjimin e dëshmitarëve që kanë qenë të përfshirë në situatë”, është shprehur ai, duke thënë se klienti i tij ka pasur aksident gjatë 2016-s, për çka edhe mund të ketë probleme me shëndetin mendor.

Avokati Kastrati ka kërkuar që klientit të tij t’i ulet dënimi dhe të kundërshtohet vendimi me burgim të përjetshëm, sepse, sipas tij, Gjykata Themelore e Prizrenit ka bërë shkelje të shumta.

Por, më këto pretendime nuk po pajtohet familja e viktimës. Familjarët e Aliajt gjatë tërë kohës ishin mes lotëve, duke thënë se i akuzuari e ka marrë dënimin e merituar.

Halil Aliaj, babai i viktimës, i mllefosur e i emocionuar, thotë se kjo nuk do të duhej t’i ndodhte askujt.

“Ore ti djalë, ti ma ke vra djalin, ishalla Zoti askujt nuk ia bën këtë! More djalë, ua ke tha gojën fëmijëve, qysh bre s’po ju vjen marre, a keni bre gjynah?”, është shprehur ai.

Avokati mbrojtës i familjes së viktimës, Arben Ramadani, thotë se dhimbja e familjarëve po rritet, teksa procesi për dënimin e tij po zgjatet.

“Unë kam bërë përfaqësimin e të gjitha seancave. Procesi është tejzgjatur dhe për familjen kjo është vuajtje e dhimbje. Dua ta cek se kemi të bëjmë me dy elementë të veprës së rënde, provat materiale janë të forta dhe nga CD-ja shihet çdo veprim dhe çdo skenë”, është shprehur ai.

Gjykata Supreme brenda 30 ditëve pritet të vendosë për ligjshmërinë e këtij dënimi. Trupi gjykues në këtë rast është i përbërë nga kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, gjyqtarja Valdete Daka dhe gjyqtari Rasim Rasimi.

Valdete Daka për rreth 30 minuta ka shpjeguar në tërësi se si është zhvilluar procesi gjyqësor në shkallën e parë dhe të dytë dhe po ashtu provat e arsyetimet në bazë të të cilave i akuzuari ishte shpallur fajtor.

Jetmir Aliaj ishte vrarë me armë zyrtare paraditen e 17 marsit të 2019-s në një kazino afër rrugës për në fshatin Reshtan të Suharekës. Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, të cilën e posedon edhe KOHA, thuhet se Shefki Spahiu, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore, me dashje dhe në mënyrë dinake, e privon nga jeta Jetmir Aliaj, punëtor i kazinosë.

Disa ditë pas kësaj vrasjeje, me iniciativë të kryetarit të Suharekës, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për mbylljen e të gjitha kazinove.

https://www.koha.net/arberi/271867/ish-polici-i-denuar-me-burgim-te-perjetshem-pendohet-per-vrasjen-e-32-vjecarit/

Asnjë koment

Comments are closed.