02-05-2024

Ish-polici në Prizren që akuzohet për ryshfet mohon të ketë marrë para nga kundërvajtësit në trafik

Në Gjykatën Themelore në Prizren, në rastin e kthyer në rigjykim, dje janë shfaqur video-incizimet e bëra me masa të fshehta në rastin ndaj katër ish-zyrtarëve policorë, Neshat Avdaj, Driton Bajrami, Myzafer Sylejmani dhe Binak Bytyqi, të cilët akuzohen për marrje ryshfeti.

Ndryshe, në këtë seancë është bërë shikimi i videove vetëm sa i përket të akuzuarit Binak Bytyqi, sepse tre të akuzuarit tjerë, në seancën e kaluar, kanë pranuar fajësinë, të cilët janë liruar nga pjesëmarrja deri në fjalën përfundimtare.

Në video-incizime janë vërejtur momente kur policët që gjendeshin në automjetin e policisë, për të cilët organi i akuzës pretendon se janë të akuzuarit Neshat Avdaj dhe Binak Bytyqi, merrnin para prej 20 euro nga personat e ndaluar për kundërvajtje.

Mirëpo, një gjë të tillë i akuzuari Binak Bytyqi, dhe avokati i tij mbrojtës, Rexhep Hasani e kanë kundërshtuar duke thënë se nuk shihet qartë nëse me të vërtetë është ai personi i cili i ka marr ato para.

“Në incizimin e shikuar nuk shihet qartë se nga e ka marr monedhën dhe se sa është vlera e asaj monedhe, po ashtu nuk vërehet fytyra e policit se a është i akuzuari apo dikush tjetër”, ka shtuar avokati Rexhep Hasani.

Më tej, avokati Hasani, ka propozuar që në cilësinë e dëshmitarëve të ftohen palët e dëmtuara ashtu siç figurojnë në dispozitiv të aktakuzës nga të cilët pretendohet se i akuzuari Binak Bytyqi, ka marrë para.

Lidhur me këtë propozim, prokurori i këtij rasti, Mehdi Sefa, e ka kundërshtuar një kërkesë të tillë, duke shtuar se është fakt notor që i akuzuari Bytyqi, shihet duke marr 20 euro nga kundërvajtësi, më pas duke mos i shqiptuar fare tiketë.

Gjykatësja Ajser Skenderi, e ka refuzuar propozimin e avokatit mbrojtës, nga fakti se në rastin konkret dëshmitarët e propozuar, nuk e kanë cilësinë e të dëmtuarve pasi që në këtë rast, të njëjtit kanë kryer kundërvajtje dhe janë gjobitur, dhe se në këtë situatë i dëmtuar është buxheti i Republikës së Kosovës, nga fakti se paratë për kundërvajtje në vend që të shkojnë në buxhetin e shtetit, ato kanë shkuar tek individi.

Tutje, prokurori Mehdi Sefa, e ka pyetur të akuzuarin se më 3 tetor 2016, a ka qenë në detyrë me kolegun e tij, tashmë të akuzuar Neshat Avdaj.

I akuzuari Bytyqi, ka thënë se nuk është i sigurt pasi që Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe Prokuroria kanë reaguar me vonesë – pas tre muajve, dhe se ai nuk ka mundur të dijë se para tre muajve ku dhe me kënd ka qenë, pasi që orari i punës me ndërrime ndryshon çdo dy ditë për çdo javë.

“Nuk jam i sigurt nëse me datë 3 dhe 4 tetor 2016, kam qenë në punë, data këto me të cilat në aktakuzë thuhet se kanë ndodhur këto veprime të kundërligjshme dhe se nëse me të vërtetë kam qenë atëherë me kënd kam qenë”, është shprehur i akuzuari Bytyqi

Më pas, prokurori Sefa, ka thënë se raporti i patrullimit i 3 tetorit shihet se të akuzuarit Neshat Avdaj dhe Binak Bytyqi, nga 16:30 deri 19:30 kanë qenë në pikë kontrollin e fshatit Duhël – Suharekë. “A e kontestoni këtë raport”, e ka pyetur prokurori të akuzuarin, duke ia dhënë në shikim këtë raport.

I akuzuari Bytyqi, ka thënë se ai raport nuk është shkruar nga ai dhe se nuk e ka nënshkrimin e tij, duke shtuar se nuk ka nënshkrim edhe të personit që e ka shkruar.

Në fund, i akuzuari ka shtuar se asnjëherë nuk ka marrë të holla e as gjë tjetër në mënyrë të kundërligjshme nga askush.

Shqyrtimin e radhës gjyqtarja Ajser Skenderi, e ka caktuar më 6 dhjetor 2018, duke filluar nga 9:30, ku në këtë seancë do të jepet fjala përfundimtare e të akuzuarve lidhur me këtë çështje penale.

Ndryshe, më 24 shkurt 2017, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve në fjalë, të cilët i akuzon se gjatë periudhës gusht-nëntor 2016, duke vepruar si policë trafiku, drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe marrë ryshfet në të holla.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit, u kanë marrë para shkelësve të rregullave të trafikut, në shuma të ndryshme, duke filluar prej 10 e deri në 100 euro, në mënyrë që të mos u shqiptojnë gjobat kundërvajtëse.

Në nëntor 2017, Gjykata Themelore në Prizren, kishte dënuar të akuzuarin Neshat Avdaj me dy mijë euro gjobë dhe me burgim efektiv prej një viti, ndërsa të akuzuarit Driton Bajrami dhe Myzafer Sylejmani, me nga 1500 euro dhe me nga tetë muaj burgim efektiv, të cilët gjatë shqyrtimit gjyqësor kishin pranuar fajësinë.

Ndërsa, i akuzuari i katërt, Binak Bytyqi, ishte liruar nga akuza për marrje ryshfeti me arsyetimin se nuk është arritur të provohet akuza gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Mirëpo, më 29 mars 2018, Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesat e Prokurorisë Themelore në Prizren dhe mbrojtësve të të akuzuarve Bajrami dhe Sylejmani, duke kthyer lëndën në rigjykim dhe rivendosje.

Sipas vendimit nga Apeli, rasti është kthyer në rigjykim për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, zbatimi i gabuar i ligjit penal dhe kundërthënieve në mes dispozitivit dhe arsyetimit.

Në vendimin e Apelit thuhet se gjyqtari i shkallës së parë ka liruar njërin prej të akuzuarve duke pretenduar se masat e fshehta nuk janë zbatuar në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, mirëpo gjatë arsyetimit thirret në provat që kanë dalë si pasojë e atyre masave të fshehta. /Betimi për Drejtësi/.

Asnjë koment

Comments are closed.