02-05-2024

Gjysmë viti për drejtor shkolle në Prizren

Fundi i tetorit mbush një gjysmë vit, kur me shpalljen e konkursit ka nisur procesi maratonik për zgjedhjen e drejtorëve dhe zv.drejtorëve të shkollave në Prizren, por që ende nuk është mbyllur, derisa autoritetet komunale kanë paralajmëruar disa anulime të emrave të propozuar, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Përkundër që tashmë ka kaluar edhe afati i paraparë i ankesave pas shpalljes së fundit të listës me emrat e drejtorëve në konkursin e përsëritur, ende ka paqartësi rreth asaj se cilin nga emrat e propozuar do ta nënshkruaj, kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka.

Paralajmërimet për një proces transparent nuk dolën krejt të tilla, meqenëse hiq ndonjë deklarim të Haskukës në llogarinë e tij të “facebok-ut”, procesi i shpalljes së emrave që u bë në fund të afatit ligjor pothuajse është mbajtur në heshtje. Pa përgjigje ka mbetur edhe një pyetje portalit “GazetaePrizrenit.net” drejtuar së fundi, Drejtorisë së Arsimit dhe Zyrës për informim të Komunës, rreth asaj se kur do të bëhet nënshkrimi i listës së propozuar të emrave të drejtorëve, si dhe numrit të ankesave të parashtruara pas procesit të intervistimit të kandidatëve.

Konkursi i parë për përzgjedhjen e drejtorëve i shpallur në fund të prillit, ishte anuluar nga vetë kryetari i komunës, me arsyetimin se kishte pasur “shkelje teknike”.

Nga 31 drejtorët e propozuar nga paneli në shtator, shumica prej tyre janë të partisë që udhëheq me drejtorinë e Arsimit në Prizren, Nismës Socialdemokrate, e disa edhe të partisë së kryetarit të Prizrenit, Vetëvendosjes. Edhe ky proces u përcoll me kritika jo vetëm nga opozita, por edhe nga LDK që është pjesë e koalicionit me VV-në.

Gjatë procesit të ankesave së paku 15 konkurrentë i janë drejtuar Komisionit për ankesa dhe parashtresa që vepron në kuadër të Komunës së Prizrenit. Në disa raste, sikur në gjimnazin “Gjon Buzuku” , në shkollën e Gjonajve e gjetiu ka pasur nga dy ankesa.

Sipas burimeve të afërta me komisionin, disa ankesa tashmë janë shqyrtuar dhe në shumicën ka pasur përgjigje negative. Këtë e ka konfirmuar edhe një kandidat.  Halim Rexhbeqaj, që kishte konkurruar për shkollën e Gjonajve, ka thënë për “GazetaePrizrenit.net” se ankesa e tij ishte vlerësuar si e pabazë, andaj do ta shqyrtojë mundësinë për ankimim në një shkallë më të lartë.

Ligji parasheh që pas vendimit të Komisionit komunal për ankesa, kandidatët kanë të drejtë ankese në shkallën e dytë, në Këshillin e pavarur mbikëqyrës për shërbimin civil.

Kryetari Haskuka,  ndërkaq ka paralajmëruar  anulimin në tërësi të procesit në rastet në të cilat ka pasur ndikime nga jashtë, duke thënë se për ato shkolla përkohësisht do të caktohen ushtrues detyre, por nuk ka konkretizuar për cilat raste bëhet fjalë./GazetaePrizrenit.net/

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.