05-05-2024

Ja cilët kandidatë janë më të votuarit nga Vetëvendosje! në Prizren

Sipas të dhënave të shtabit zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, kandidatët më të votuar për deputetë në procesin zgjedhor në Prizren janë, Artan Abrashi dhe Hajrulla Çeku.

Shefi i shtabit zgjedhor të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, Karanfil Haxhillari, njofton se pas numërimit të votave nga 214 vendvotime, më të votuarit në listën e këtij subjekti politik nga kandidatët për deputetë nga Prizreni janë, Artan Abrashi i cili ka siguruar më së shumti vota rreth 8. 782 i pasuar nga Hajrulla Çeku me 8 300 vota, Arbër Rexhaj me 7. 482 vota, Drita Millaku me 6.579 vota, Haxhi Avdyli 5.417 vota, pa numëruar votat me kusht dhe ato nga diaspora, raporton tvpz.

Ai më pas tha se saj përket rezultateve të të gjithë kandidatëve të listës së Lëvizjes Vetëvendosje, jemi në numërim e sipër të votave, por siç thotë ai, shihet një hezitim i qytetarëve për të votuar numrin 1 ku ndodhej kandidati për kryeministër, Albin Kurti, për shkak të zhvillimeve të njohura që kanë tentuar pengimin e kandidaturës së tij, u shpreh Haxhillari.  Ai njoftoi më tej se pjesë e procesit zgjedhor nga ky subjekt politik në Prizren, kanë qenë të angazhuar 217 komisionerë dhe 434 vëzhgues.

Shefi i shtabit zgjedhor të Vetëvendosjes, Karanfil Haxhillari, falënderoi qytetarët për besimin e dhënë duke thënë se vota ndaj këtij subjekti nuk do të iu kthehet në zhgënjim. Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje, pas numërimit të votave preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është fituese e zgjedhjeve të mbajtura ditën e diel edhe në Prizren.

Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar me 28.975 vota ose 45.58 për qind, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës e cila ka fituar 10.659 vota ose 16.77 për qind të votave./tv prizreni

Asnjë koment

Comments are closed.