Ja çka u diskutua në takimin e Kurtit me kryetarët e komunave
Me qëllim të thellimit të bashkëpunimit dhe zgjerimit të mëtutjeshëm të komunikimit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, sot u zhvillua takimi i shtatë i rregullt me kryetarët e komunave të Kosovës, kryesuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me bashkëpraninë e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Ndër temat e trajtuara në këtë mbledhje të përbashkët ishte edhe çështja e qenve endacakë, ku kryeministri shprehu se menaxhimi efikas kërkon koordinim të plotë midis dy niveleve dhe u shpreh i gatshëm që qeveria të bashkë financojë bazuar në nevojat reale, duke i siguruar qytetarët nga sulmet e qenve endacakë. Në anën tjetër, projekti “Ndërlidhja e qytetarit me adresë zyrtare”, i cili synon përmirësimin e administratës publike dhe shërbimeve për qytetarët duke krijuar adresa unike dhe zyrtare, ishte temë tjetër e diskutimit.
“Kjo do të lehtësojë proceset e regjistrimit të adresave, do të rrisë sigurinë dhe do të ndihmojë planifikimin e qëndrueshëm të komunave. Me këtë sistem, qytetarët nuk do të kenë më nevojë për dokumente shtesë për regjistrim, fatura, por do të mund të deklarojnë adresën vetëm me emërtimet zyrtare të rrugëve, duke bërë administratën më të organizuar e gjithsesi edhe më efikase”, shtoi Kurti.
Në lidhje me çështjen e kontratës kolektive, kryeministri Kurti theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës ka për qëllim vendosjen e ligjshmërisë, andaj sipas tij çdo tendencë apo veprim në drejtim të zbatimit të kontratave jashtë fuqisë së ligjit dëmton punëtorin, sundimin e ligjit dhe Republikën. Ai shtoi se kjo çështje kërkon diskutim të hapur e të gjerë me punëtorët bashkë, për hartimin e pastaj zbatimin e kontratave kolektive që reflektojnë nevojën, mundin dhe të drejtën e punëtorit në Republikën e Kosovës.
Ndërkaq, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se është kënaqësi gjithmonë të organizojmë tryeza të tilla diskutimi. Siç tha ai, mundësia për ofrimin e zgjidhjeve janë kryetarët e komunave dhe niveli qendror, të cilët hartojnë politika dhe implementojnë programe, në mënyrë që jeta e qytetarëve të përmirësohet dhe të ngritet standardi i tyre i jetesës.