25-04-2024

Ja pse dështoi sërish votimi i buxhetit të Prizrenit 2021

Kuvendi i Komunës së Prizrenit (KK) në mbledhjen e sotme për herë të dytë nuk e ka votuar propozim-buxhetin e Komunës së Prizrenit për vitin 2021, projekt që pati dështuar edhe në seancën e paraparë brenda afatit, në shtator të këtij viti, transmeton Gazeta e Prizrenit.

Seanca nxori në shesh se po që ka pasur një ndryshim qëndrimesh me pushtetit e LDK-së, ku varej shpresa për buxhet, një grup i kuvendarëve të Vetëvendosjes nuk ka qenë i njoftuar për bisedat paraprake dhe një e-mail i dërguar tek asambleistët e LDK-së, që siç deklaruan pothuajse në fund përmbysi çdo gjë.

Nga 34 kuvendarë të pranishëm, vetëm 12 votuan për, 21 kundër dhe 1 abstenoi.

Ndonëse ishte paralajmëruar se LDK në opozitë do të votonte pro, kjo nuk ndodhi pasi siç u tha në momentet e fundit para mbledhjes ishte ndryshuar draft-projekti i harmonizuar.

E plotësuar:

Sinjalet e dhëna, gjatës mbledhjes së Komitetit për Politikë e Financa të KK-së, për votimin e buxhetit dukeshin deri kur kjo çështje u shtrua në rend dite para kuvendarëve,  ndonëse paqartësi shkaktonte mungesa e kryetarit Mytaher Haskukua në mbledhje, ndërsa debatohej një çështje kaq e rëndësishme si rivotimi i buxhetit, prej të cilit varen projektet e parapara.

Opozita e kishte refuzuar votimin pasi u ankua se Haskuka dhe drejtoresha e Financave nuk i kanë përfshirë në propozim – buxhet kërkesat dhe propozimet e tyre, duke e akuzuar kryetarin për investime në zona të caktuara “me qëllime elektorale”.

Në fakt, rivotimi erdhi pas njoftimit se Ministria e Financave ka marrë 5 milionë e 524 mijë euro nga buxheti i Komunës dhe vendosjes në fondin rezervë të Qeverisë së Kosovës.

Gjatë mbledhjes së KPF-së që i paraprin mbledhjes së KK-së,  doli se kishte  përafrim të qëndrimeve të Vetëvendosjes në  në pushtet me LDK-në. Siç është deklaruar nga zyrtarë të drejtorisë për Ekonomi e Financa, ka pasur pajtime për arritjen e një buxheti të përbashkët, dhe se ndryshimet në Projekt-buxhet kanë të bëjnë me investimet kapitale ku do të shtohen edhe disa projekte të kërkuara nga LDK, percjell Gazeta e Prizrenit.

Pas disa sqarimeve të bëra nga drejtoresha e EF-së, Leonora Çerreti rreth përmbajtjes së re të projekt-buxhetit, ka folur kryetari i grupit të PDK-së, Simir Krasniqi, i cili siç tha sqaron edhe një herë për opinion se ky subjekt ka kërkuar që të përfshihet edhe një ndihmë për komunitetin e biznesit, për shkak të pandemisë, që sërish nuk është përfshirë dhe si i tillë nuk do të votohet.

Haziz Hodaj nga LDK, ndërkaq sqaroi se grupi i këshilltarëve ka ardhur në seancë për të votuar buxhetin, pasi kësaj radhe ishte punuar me ekspertë duke bërë risi, por në fund pak para fillimit të seancës kishte ardhur një draft tjetër.

“Duke parë se po luhet një lojë jo e ndershme, kërkoj që votimi të votohet në një seancë tjetër. Suficiti është lak në qaf për këtë qeverisje”, tha ai, duke thënë se ka dyshime për realizimin e projekteve, marrë parasysh injorancën që është punuar këto 3 vjet.

Shefi i grupit të AAK-së, Iliri Baldedaj, ndërkaq tha se Haskuka me mospjesëmarrje në seanca po tregon se nuk është i interesuar për buxhetin, ndryshe në një çështje kaq të rëndësishme si buxheti do të ishte pjesë e mbledhjes, dhe sipas tij ata që po udhëheqin kanë për qëllim vetëm ta hedhin fajin për dështimin e buxhetit.

Pranverim Berisha nga Nisma, vlerësoi se buxheti është  diskriminues, percjell Gazeta e Prizrenit.

Në tërë këto fjalime, të përcjella shpesh me sqarime e ndërhyrje nga vendi, Karafil Haxhillari (VV) ka pyetur nëse është thirrur dikush nga këshilltarët e LVV në takimet me LDK-në për ridizajnimin e buxhetit.

Në këtë rast, Shukri Quni (Nisma), tha se nga ajo që duket ka marrëveshje të fshehta dhe se vetë ekzekutivi i drejtuar nga Haskuka nuk është i interesuar ta votojë  Propozim- buxhetin për vitin 2021 si dhe parashikimin për vitet 2022-2023.

Një ndër pikat tjera të nxehta në KK ishtë edhe ajo mbi ndarjen e subvencioneve të ndara nga Drejtoria e Mirëqenies Sociale dhe të Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për të cilën ka pasur kritika për mënyrën e ndarjes dhe mostransparencë rreth shumës, ndërsa është kërkuar anulimi i projektit. /GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.