23-11-2024

Ja vlera e saktë e pensioneve me rritje në Kosovë

Të gjithë pensionistët në Kosovë nga sot kanë marrë pensionet me rritje. Kjo, pas miratimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e tyre prej 15 deri në 20%.

Vendimi për rritjen e pensioneve është marrë për pesë kategoritë pensionale, ato bazike, kontributdhënëse, pensionet familjare, të invalidëve në punë dhe të pensionistëve të Trepçës.

Këshilltari i ministrit të Financave, Lulzim Rafuna, në një prononcim për Indeksonline ka treguar se nga sa do të jenë tani pensionet për të gjitha kategoritë.

Të moshuarit nga 75 euro sa merrnin paraprakisht tani do të marrin pension prej 90 eurosh. Ndërsa, përfituesit nga pensionet e Trepçës, do të marrin 25 euro më shumë, nga 105 euro sa merrnin më parë, tani do marrin 130 euro, shkruan Express.

“Për pensionet bazike përafërsisht ata kanë marrë 75 euro ndërsa tani me 20% rritje do t`i marrin 90 euro, ndërsa sa i përket pensioneve të Trepçës deri më tani ata kanë marrë 105 euro, tani përafërsisht do t`i marrin 130.

Te pensionet kontribut dhënëse janë katër kategori brenda këtij sektori që varet varësisht prej nivelit të shkollimit edhe ju rritet prej 15%, varet niveli i shkollimit dhe në cilën kategori bien. Ndërsa te pensionet familjare dhe këto invalidore po ashtu i kanë marrë nga 75 euro dhe do t`i marrin rreth 90 euro me rritjen prej 20%”, tha Rafuna.

Ai më tutje ka bërë të ditur se në Kosovë janë rreth 179 mijë pensionistë. Sipas tij, buxhetit të Kosovës kjo rritje do i kushtojë 30 milionë euro.

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.