19-04-2024

Javën e ardhme konstituimi i përbërjes së re të Kuvendit të Prizrenit, ja kush pritet ta udhëheqë mbledhjen

Përbërja e re e Kuvendit Komunal (KK) të Prizrenit, e dalë nga zgjedhjet e fundit lokale, është paraparë të mblidhet, të premten, më 10 dhjetor. Në seancën solemne, pos kreut të ri komunal, Shaqir Totaj (PDK) betimin do ta japin edhe kuvendarët e sapozgjedhur, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Paraprakisht Totaj, pritet që këtë të hënë (6 dhjetor) të shkojë në shtëpinë më të pushtetshme në Prizren, të njohur si “Shtëpia e Bardhë” për ta marrë detyrën e re.

Ai do ta marrë postin pas ish-kryetarit, Mytaher Haskuka (Vetëvendosje), i cili për dallim nga të gjithë kryetarët e pasluftës, humbi në garën zgjedhor vetëm pas një mandati qeverisës, të përcjellë nga kritika të shumta për dështim katërvjeçar.

Ndërkohë, që në kampin fitues, në PDK po vazhdojnë bisedimet rreth formimit të ekzekutivit lokal, duke “filtruar” emrat e mundshëm, përfshirë edhe ata nga partitë në koalicion, burime të besueshme të portalit “Gazeta e Prizrenit”, konfirmojnë se ka pasur edhe spekulime mediale, gjatë lakimit të emrave për qeverisjen e Totajt.

Mbledhjen e parë të kësaj përbërje të KK-së, sipas rregullores parashihet ta udhëheqë kuvendari më i vjetër, që në këtë rast është Hanefi Muharremi (ish-drejtor në qeverisjen e LDK-së). Nuk dihet ndërkaq, nëse në këtë seancë do të zgjedhet edhe kryesuesi i Kuvendit.

Pjesë e kësaj përbërje të KK-së do të jenë 10 subjekte politike. Vetëvendosja do të ketë 12 asambleistë, PDK-ja 11, LDK-ja 7, AAK-ja 3, Nisma Socialdemokrate 2, derisa partitë e komuniteteve, turke (pos KDTP-së që ka dy) dhe boshnjake kanë fituar nga një ulëse apo 6 gjithsej.

Ajo që dihet tashmë është se bartësi i listës së NS, Zafir Berisha është tërhequr dhe në vend të tij, do të jetë kandidati më i votuar i këtij subjekti, Shukri Quni. Edhe kreu i  AAK-së, Lulzim Kabashi është tërheq, ndërsa zëvendësohet nga Agim Muqaj, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Vlen të përmendet se zgjedhjet e fundit lokale në Prizren treguan shumë gjëra. Përveç dëshmisë për mbështetjen, që gëzojnë disa nga personalitete lokale, ato treguan se në disa raste, sikur kjo e përfaqësimit nëpër institucione, nuk vlen ngritja profesionale apo edhe opozitarizmi i treguar, por më tepër ajo e madhësisë së fisit dhe gatishmërisë së tyre për të votuar. Kjo për faktin se në Prizren janë anashkaluar kuvendarë, të cilët realisht kanë bërë opozitë ndaj ish-qeverisjes së VV-së, në përbërjen e kaluar si dhe profesorë, që kandiduan për një ulëse, në sallën komode të KK-së.

Me fillimin e mandatit të ri shtrohet pyetja se çfarë njerëz do ta përfaqësojnë interesin qytetar, në qendrën e dytë për nga madhësia pas kryeqendrës.

Tashmë mund të flitet për sqarim të disa dilemave bukur të diskutueshme. Në dy tri partitë më të mëdha: PDK, VV e në LDK ndër dilemat parazgjedhore ka qenë ajo nëse këto subjekte kanë përzgjedhur njerëzit e duhur për t’i përfaqësuar interesat qytetare. / GazetaePrizrenit.net/

Më poshtë mund ta gjeni listën e plotë të kandidatëve të zgjedhur për KK të Prizrenit:

Asnjë koment

Comments are closed.