27-11-2024

Jo vetëm veteranët, opozita propozon të hetohen të gjitha kategoritë që marrin beneficione në kuadër të skemes pensionale

“Expose” prodhim televiziv i portalit “Gazeta Blic” sonte ka transmetuar në Kanal10 një emision lidhur me skemat pensionale në Kosovë.

Në kuadër të këtij emisioni, deputetët e partive opozitare në Kuvendin e Kosovës e kanë vënë në theks nevojen  për pastrimin e listave për të gjitha kategoritë që janë në kuadër të skemave pensionale, raporton GazetaBlic.com

“Ka shumë zhvillime dhe dukuri që kërkojnë një qasje investigative të pastrimit dhe shërimit të sistemit, përfshirë edhe këtë me pensione të dyfishta”, tha deputeti nga radhët e PDK-së Hisen Berisha, duke aluduar tek personat që marrin pensionin bazë nga buxheti i Kosovës, të cilët kanë edhe nënshtetësi të dytë.

Deputeti Berisha, pret që qeveria Kurti të marrë masa për të parandaluar, siç e ka quajtur ai “gjakëderdhjen financiare.”

“Problemi është më i thellë, ka edhe shumë sfera tjera ku ka gjakëderdhje financiare, ka edhe shumë burime tjera, rrjedhje të tjera të gjakëderdhjeve financaire dhe qeveria nuk po e merr asnjë masë për të parandaluar”, u shpreh Berisha për Expose.

Sipas tij, nëse kjo qeveri nuk ka vullnet për të shtyrë për para një çështje të tillë, do ta bëjnë vetë ata me të ardhur në pushtet.

“Paraja e buxhetit është e shenjtë asnjë cent nuk guxon të vidhet, për një cent në sistemet perëndimore, nuk falet asnjë cent, vrasja mund të jetë në afekt por vjedhja është vjedhje e djerse së qytetarit, është haram nuk guxon me prek aty, ai që toleron me prek aty ai duhet të jetë larg institucioneve, nëse kjo qeveri nuk e shtyn ne do ta shtyjmë përpara, shteti dhe Kosova është mbi të gjitha pastaj vin interesat partiake e ku ta di unë”, tha Berisha.

Në anën tjetër edhe deputeti nga radhët e AAK-së Pal Lekaj, thotë se duhet të marrin trajtim rastet kur përfituesit e beneficioneve nga buxheti i shtetit, punojnë jashtë vendit.

“Ajo që mund të them është se kemi edhe kategori tjera sociale që po ashtu duhet të trajtohen, nëse dikush e keqpërdor këtë duhet të veprojë, mirëpo them edhe kategoritë tjera, ka njerëz që punojnë jashtë dhe marrin edhe pensionin këtu dhe këto raste duhet të trajtohen”, tha Lekaj.

Bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, më saktësisht nënin 227 – Kushdo që duke u shtirur ose duke i shkaktuar vetes sëmundje apo paaftësim për punë ose në ndonjë mënyre tjetër të kundërligjshme arrin që të sigurojë ndonjë të drejtë nga sigurimi social ose pensioni shtetëror, që nuk i takon sipas ligjit, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet.

Asnjë koment

Comments are closed.