26-04-2024

Joe Bideni betohet si president: Kjo është dita e Amerikës

Joe Biden është betuar si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një ceremoni të pazakontë për shkak të masave anti-COVID dhe për shkak të masave të sigurisë si pasojë e protestave të dhunshme që ngjanë para disa javësh, Bideni merr udhëheqjen në një kohë të vështirë për vendin.

Bideni, tash 78-vjeçar, fitoi në zgjedhjet e nëntorit ndaj ish-presidentit Donald Trump, që ka refuzuar të pranojë humbjen. Ai madje ka thyer traditën e gjatë amerikane duke refuzuar pjesëmarrjen në inaugurimin e pasuesit.

Presidenti i ri amerikan, Joe Biden, në adresimin e parë para amerikanëve pas betimit si president i SHBA-së, ka thënë se demokracia në SHBA ka triumfuar përballë çdo gjëje.

“Kjo është dita e Amerikës. Kjo është dita e demokracisë. Ditë e historisë dhe shpresës… Vullneti i qytetarëve është dëgjuar. Kemi mësuar sërish se demokracia është e brishtë, por demokracia ka triumfuar”, ka thënë ai.

Ai ka komentuar protestat e dhunshme, të nxitura nga ish-presidenti Donald Trump, të para disa ditësh në Capitol.

“Kemi mësuar se demokracia është e shenjtë. Tani, në këtë tokë të shenjtë, ku pak ditë më herët dhuna shkundi themelet e Capitolit, ne jemi bashkuar në një komb, nën zotin, të pandashëm, për të kryer transferimin e pushtetit siç kemi bërë që më shumë se dy shekuj”, ka deklaruar ai.

Duke folur për sfidat që e presin administratën e tij, përfshirë luftën e pandemisë dhe rritjen e problemeve racore, Bideni është zotuar se “do të luftojmë dhe ne do të fitojmë” ndaj çdo pengese.

“E di se forcat që na ndajnë janë të thella dhe reale. Por e di po ashtu se s’janë të reja. Historia jonë ka pasur gjithmonë ngecje mes ideales amerikane se të gjithë jemi të barabartë dhe realitetit të tmerrshëm që racizmi, frika, demonizimi na kanë ndarë”, ka shtuar Biden.

Ai ka thënë se asnjëherë s’do të ketë shans dikush që të përmbysë me dhunë certifikimin e fitores së tij presidenciale.

Ai është zotuar se do të përmirësojë aleancat e Amerikës me shtetet tjera të botës./koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.