13-02-2025

Kadri Veseli ngritet në këmbë pasi avokati i tij e kritikon gjyqtarin për anshmëri

Sot në Gjykatën Speciale në seancën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë ka dëshmuar ish-komandanti, Sylejman Selimi.

Por, seanca nuk kaloi pa tensione në mes të ekipeve mbrojtëse dhe panelit të gjyqtarëve.

Avokati mbrojtës i Kadri Veselit, para se të futej dëshmitari në sallë për të vazhduar dëshminë, pyeti gjyqtarin e Dhomave të Specializuara, se çfarë ka ndodhur me mocionin e dorëzuar në nëntor të vitit 2024, ku kërkohej paanshmëri në proces.

“Bëhet fjalë për mocionin e vitit 2024, për masat që janë marrë për garantimin e paanshmërisë së procesit gjyqësor”, ka thënë avokati i Veselit, Rodney Dixon, duke ngritur shqetësime për pyetjet e gjyqtarëve.

“Sot pyetjet nuk janë të paanshme, janë pyetje josqaruese, por janë pyetje që u përdoren si bazë nga gjykatësit për të dalë në përfundimet e tyre”, ka thënë mbrojtësi i Veselit.

Pas fjalës së avokatit mbrojtës të Veselit, gjyqtari Charles L Smith, përgjigjet me tepër nervozizëm se do të vazhdohet me pyetjet siç ka ndodhur gjithmonë dhe ka bërë thirrje që të ftohet dëshmitari.

Pas kësaj, është parë edhe një reagim i Kadri Veselit, i cili është ngritur në këmbë dhe është konsultuar me dikë prej ekipit mbrojtës.

Asnjë koment

Comments are closed.