Dosja e barnatoreve në Suharekë: Inspektorati gjeti barna pa banderolë, produkte të paautorizuara dhe barnatore që punonin pa farmacistë
Portali Front Online ka siguruar një seri raportesh të Inspektoratit Farmaceutik të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilat zbulojnë një panoramë shqetësuese të funksionimit të disa barnatoreve në Komunën e Suharekës.
Nga kontrollet e kryera gjatë vitit 2025 dhe 2026, në disa barnatore janë evidentuar produkte medicinale pa banderolë të Republikës së Kosovës, produkte me banderola të shteteve të tjera, barna të paautorizuara për qarkullim në tregun kosovar, si dhe raste kur barnatoret kanë qenë të hapura dhe kanë ofruar shërbime pa praninë e farmacistit përgjegjës apo zëvendësuesit të licencuar.

Në disa raste, Inspektorati ka urdhëruar konfiskimin e produkteve, karantinimin e barnave, mbylljen e barnatoreve deri në plotësimin e kushteve ligjore dhe ka shoqëruar raportet me vendime për gjobë.
Bleta Pharm -Inspektorati gjen produkte të paautorizuara: Me banderolë të Serbisë dhe pa banderolë
Inspektorati Farmaceutik i Ministrisë së Shëndetësisë ka evidentuar shkelje në barnatoren “Bleta Pharm” në Suharekë.
Sipas raportit të datës 18 mars 2025, inspektimi është kryer në Qarkulluesin Farmaceutik me Pakicë për Produkte dhe Pajisje Medicinale “Bleta Pharm”, me adresë në rrugën “Hajdin Berisha”, në Suharekë.
![]()
Në momentin e inspektimit, barnatorja ka qenë e hapur, ndërsa shërbimi farmaceutik po ofrohej nga farmacistja zëvendësuese Ermira Bytyqi, me licencë të punës RKS-0933-20.
Por, gjatë kontrollit në pjesën e depos së barnatores, në prezencë të farmacistes zëvendësuese, inspektorët kanë gjetur produkte medicinale të paautorizuara për tregun e Republikës së Kosovës.
Sipas raportit, produktet e gjetura ishin me banderolë nga Serbia dhe pa banderolë. Për këto produkte, pala nuk ka ofruar dëshmi për prejardhjen e tyre.

Produktet medicinale të paautorizuara janë regjistruar në fletat përmbledhëse për produkte dhe pajisje medicinale të konfiskuara, me numër serik 000370 dhe 000230, gjithsej dy lista.
Kliko këtu për ta shkarkuar të plotë raportin e Inspektoratit Farmaceutik për këtë barnatore:
Raporti i Inspektoratit Farmaceutik për barnatoren Bleta Pharm
Në fund të inspektimit, procesverbali është lexuar dhe nënshkruar nga trupa inspektuese, nga farmacistja zëvendësuese Ermira Bytyqi dhe nga pronarja/farmacistja përgjegjëse Blerinë Ahmetxhekaj. Sipas raportit, palët nuk kanë paraqitur vërejtje lidhur me inspektimin dhe gjetjet.

Inspektorati ka konstatuar se barnatorja ka vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore që përcaktojnë se barnatorja duhet të blejë produkte medicinale dhe pajisje medicinale vetëm nga entitetet që janë bartëse të licencës farmaceutike për qarkullim me shumicë.
Në rekomandime, Inspektorati ka urdhëruar që barnatorja të operojë vetëm sipas dispozitave ligjore në fuqi. Raporti shoqërohet edhe me vendim për gjobë me numër 10/E-012-25.
Ky rast e nxjerr në pah një prej shkeljeve më të ndjeshme në sektorin farmaceutik: qarkullimin e produkteve pa dëshmi të qartë të prejardhjes dhe jashtë autorizimeve për tregun e Kosovës.
Vita Pharm AAF në Dubravë, Inspektorati: Barnatorja punonte pa farmacist të licencuar
Inspektorati Farmaceutik ka konstatuar se barnatorja “Vita Pharm AAF” në Dubravë të Suharekës po operonte në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, pasi shërbimi farmaceutik po ofrohej pa praninë e farmacistit përgjegjës apo zëvendësuesit të licencuar.
Sipas raportit të datës 17 prill 2025, inspektimi është kryer në barnatoren “Vita Pharm AAF”, me adresë në rrugën “Valdet Gashi”, në Dubravë të Suharekës. Pronare e barnatores figuron Agnesa Kryeziu.
Raporti thekson se inspektimi është kryer bazuar në autorizimin për inspektim të datës 19 mars 2025. Në momentin e kontrollit, barnatorja ishte e hapur.

Por, sipas Inspektoratit, shërbimi farmaceutik po ofrohej pa praninë e farmacistit të licencuar përgjegjës apo zëvendësuesit të tij.
Gjatë inspektimit, në barnatore ishte prezente Fatjona Kukaj, teknike e farmacisë, me numër licence KO-41789/A-05-4.
Në raportin e Inspektoratit thuhet se farmacistja përgjegjëse, Hava Redenica, e evidentuar me numër licence të punës RKS-1419-22, nuk ishte prezente. Po ashtu, nuk ishte prezent as ndonjë farmacist tjetër zëvendësues.
Kliko këtu për ta shkarkuar të plotë raportin e Inspektoratit Farmaceutik për këtë barnatore:
Raporti i Inspektoratit Farmaceutik për barnatoren Vita Pharm AAF
Përmes procesverbalit me numër 0004987, pala është urdhëruar të punojë sipas legjislacionit në fuqi. Po ashtu, është urdhëruar mbyllja e barnatores deri në ardhjen e farmacistit përgjegjës apo zëvendësuesit të tij.
Në konstatimet e raportit, Inspektorati thekson se barnatorja “Vita Pharm AAF” posedon licencë valide të veprimtarisë, por në kohën e inspektimit nuk ishte prezent farmacistja përgjegjëse dhe as ndonjë farmacist zëvendësues.
Inspektorati e lidh këtë shkelje me dispozitat ligjore që përcaktojnë se barnatorja duhet të ketë gjatë gjithë orarit të punës farmacist apo farmacistë të licencuar. Po ashtu, barnat e përshkruara nga mjeku ose stomatologu mund të jepen vetëm nga, ose në prezencën e, farmacistit të licencuar.

Ky rast tregon një problem të përsëritur në tregun farmaceutik: barnatore të hapura për qytetarët, por pa profesionistin e licencuar që ligji e kërkon si kusht për ofrimin e shërbimit farmaceutik.
“Shkumbin Jahaj” – Kontrolli i parë: Produkte pa banderolë dhe me banderola të shteteve të tjera
Në raportin e parë për barnatoren “Shkumbin Jahaj B.I.” në Suharekë, Inspektorati Farmaceutik ka konstatuar se barnatorja ishte e hapur dhe shërbimi farmaceutik ofrohej nga vetë pronari dhe farmacisti përgjegjës Shkumbin Jahaj.
Kliko këtu për ta shkarkuar të plotë raportin e Inspektoratit Farmaceutik për këtë barnatore:
Raporti i Inspektoratit Farmaceutik per barnatoren Shkumbin Jaha – Kontrolli 1
Por, gjatë kontrollit në hapësirat e barnatores, sipas raportit, janë gjetur produkte medicinale të paautorizuara për qarkullim në tregun e Republikës së Kosovës. Produktet ishin pa banderolë, si dhe me banderolë të Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, raporton Front Online.
Inspektorati ka evidentuar se produktet janë regjistruar në listat përmbledhëse të mallit të konfiskuar, gjithsej 11 faqe, dhe janë konfiskuar nga Inspektorati Farmaceutik.

Në raport theksohet gjithashtu se barnatorja nuk kishte filluar aplikimin e vendosjes së çmimeve të produkteve medicinale sipas listës zyrtare të çmimeve të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Përmes procesverbalit, pala është urdhëruar që në barnatore të operojë vetëm me produkte dhe pajisje medicinale në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi.
“Shkumbin Jahaj” – Kontrolli i dytë: Sërish produkte të paautorizuara
Në kontrollin e dytë në barnatoren “Shkumbin Jahaj”, Inspektorati Farmaceutik përsëri ka evidentuar produkte medicinale të paautorizuara për qarkullim në tregun e Kosovës.
Sipas raportit, në hapësirat e barnatores janë gjetur produkte pa banderolë dhe produkte me banderolë të Shqipërisë. Të njëjtat janë konfiskuar nga Inspektorati Farmaceutik, raporton Front Online.
Kliko këtu për ta shkarkuar të plotë raportin e Inspektoratit Farmaceutik për këtë barnatore:
Raporti i Inspektoratit Farmaceutik per barnatoren Shkumbin Jaha – Kontrolli 2
Në raport përmendet edhe produkti medicinal Kamagra. Për këtë produkt, pala nuk kishte ofruar dëshmi apo faturë hyrëse në momentin e kontrollit, ndërsa i ishte dhënë afat prej 24 orësh për prezantimin e faturës, pasi kishte deklaruar se posedonte faturë hyrëse.
Megjithatë, sipas raportit, deri në datën e lëshimit të raportit pala nuk kishte ofruar dëshmi/faturë hyrëse. Raporti është shoqëruar edhe me vendim për gjobë.
“Vjollca Hamitaga” – Barnatorja u gjet e hapur pa farmaciste përgjegjëse
Në rastin e barnatores “Vjollca Hamitaga B.I.” në Suharekë, Inspektorati Farmaceutik ka kryer inspektim për prezencën e stafit profesional.
Sipas raportit, barnatorja ishte e hapur, por në momentin e inspektimit nuk ishte prezente farmacistja përgjegjëse dhe as ndonjë zëvendësuese e licencuar, raporton Front Online.
Kliko këtu për ta shkarkuar të plotë raportin e Inspektoratit Farmaceutik për këtë barnatore:
Raporti i Inspektoratit Farmaceutik per barnatoren Vjollca Hamitaga
Inspektorati ka konstatuar se kjo përbën shkelje të dispozitave ligjore, pasi barnatorja duhet të ketë gjatë gjithë orarit të punës farmacist të licencuar, ndërsa barnat e përshkruara nga mjeku apo stomatologu mund të jepen vetëm nga ose në prezencën e farmacistit të licencuar.
Përmes procesverbalit, pala është urdhëruar që barnatorja të mbyllet dhe të mos operojë pa farmacistin përgjegjës ose zëvendësuesin.
“Bleta Pharm” – Kontrolli dytë produkte medicinale pa banderolë
Në barnatoren “Bleta Pharm” në Suharekë, Inspektorati Farmaceutik ka kryer inspektim të planifikuar. Në momentin e kontrollit, barnatorja ishte e hapur dhe shërbimi farmaceutik ofrohej nga farmacistja përgjegjëse.
Kliko këtu për ta shkarkuar të plotë raportin e Inspektoratit Farmaceutik për këtë barnatore:
Raporti i Inspektoratit Farmaceutik per barnatoren Bleta Pharm
Por, gjatë kontrollit në hapësirat e barnatores është gjetur produkt medicinal pa banderolë të Republikës së Kosovës, i paautorizuar për qarkullim në tregun e Kosovës.
Raporti thekson se në fund të inspektimit është përpiluar procesverbali, por pala ka refuzuar ta nënshkruajë atë. Po ashtu, në hapësirën e vërejtjeve në procesverbal, pala ka refuzuar të paraqesë ndonjë vërejtje, raporton Front Online.
Ky rast është evidentuar nga Inspektorati si shkelje e rregullave për qarkullimin e produkteve medicinale në barnatore.
“Blina Pro Pharm” – Produkte të paautorizuara mbi divan dhe në çantë të hapur, gjobë 2 mijë euro
Në barnatoren “Blina Pro Pharm” në Suharekë, Inspektorati Farmaceutik ka gjetur sasi të caktuar të produkteve medicinale të paautorizuara për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës, raporton Front Online.
Kliko këtu për ta shkarkuar të plotë raportin e Inspektoratit Farmaceutik për këtë barnatore:
Raporti i Inspektoratit Farmaceutik per barnatoren Blina Pro Pharm
Sipas raportit, produktet janë gjetur mbi një divan në hapësirën e administratës së barnatores, ndërsa shumica e tyre ndodheshin në një çantë të hapur. Disa pako të tjera me produkte medicinale të paautorizuara janë gjetur pranë çantës.
Inspektorët kanë bërë fotografi të produkteve dhe të vendndodhjes së tyre, ndërsa të gjitha të gjeturat janë evidentuar në procesverbal.
Në raport thuhet se barnatorja ishte e hapur dhe veprimtaria farmaceutike kryhej nga farmacistja përgjegjëse. Megjithatë, për shkak të produkteve të paautorizuara, rasti është shoqëruar me vendim për gjobë në vlerë prej 2,000 euro.
“Brikena” – Kontrolli i parë: Shërbimi ofrohej nga teknike e farmacisë, pa farmaciste përgjegjëse
Në kontrollin e parë në barnatoren “Brikena” në Suharekë, Inspektorati Farmaceutik ka konstatuar se barnatorja ishte e hapur, por shërbimi farmaceutik ofrohej nga një teknike e farmacisë, raporton Front Online.
Kliko këtu për ta shkarkuar të plotë raportin e Inspektoratit Farmaceutik për këtë barnatore:
Raporti i Inspektoratit Farmaceutik per barnatoren Brikena – Kontrolli 1
Sipas raportit, në momentin e inspektimit nuk ishte prezente farmacistja përgjegjëse dhe as ndonjë farmacist zëvendësues.
Inspektorati ka urdhëruar që barnatorja të mbyllet dhe të mos punojë pa prezencën e farmacistit përgjegjës apo zëvendësuesit të licencuar.
Raporti është shoqëruar me vendim për gjobë ndaj personit përgjegjës.
“Brikena” – Kontrolli i dytë: Përsëritet mungesa e farmacistit, prezent ishte pronari teknik i farmacisë
Në kontrollin e dytë në barnatoren “Brikena”, Inspektorati Farmaceutik ka evidentuar sërish mungesë të farmacistit përgjegjës.
Sipas raportit, barnatorja posedonte licencë valide të punës, por në momentin e inspektimit farmacistja përgjegjëse nuk ishte në vendin e punës. Prezent ishte pronari i barnatores, i evidentuar si teknik i farmacisë, raporton Front Online.
Kliko këtu për ta shkarkuar të plotë raportin e Inspektoratit Farmaceutik për këtë barnatore:
Raporti i Inspektoratit Farmaceutik per barnatoren Brikena – Kontrolli 2
Pronari kishte deklaruar se në barnatore nuk kishte të angazhuar farmacist zëvendësues.
Përmes procesverbalit, pala është urdhëruar që të mbyllë barnatoren dhe që shërbimet farmaceutike të mos ofrohen për qytetarët pa prezencën e farmacistit përgjegjës apo zëvendësuesit të licencuar.
“Lisi” – Produkte pa banderolë, me banderola të Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë
Në barnatoren “Lisi” në Suharekë, Inspektorati Farmaceutik ka gjetur produkte medicinale të paautorizuara për qarkullim në tregun e Kosovës.
Sipas raportit, produktet ishin pa banderolë, me banderolë të Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë, si dhe me banderolë të produktit tjetër.
Kliko këtu për ta shkarkuar të plotë raportin e Inspektoratit Farmaceutik për këtë barnatore:
Raporti i Inspektoratit Farmaceutik per barnatoren Lisi
Pala nuk ka ofruar dëshmi lidhur me prejardhjen e këtyre produkteve. Si rrjedhojë, produktet janë regjistruar në listat përmbledhëse të produkteve medicinale të konfiskuara, gjithsej katër faqe, dhe janë konfiskuar nga Inspektorati Farmaceutik, raporton Front Online.
Në konstatime, Inspektorati ka vlerësuar se pala ka vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore që rregullojnë qarkullimin e produkteve dhe pajisjeve medicinale në Kosovë.
“Medical Center Shala Pharmacy” – Pulmicort pa banderolë, një pjesë ishte shitur, pjesa tjetër u karantinua
Në barnatoren “Medical Center Shala Pharmacy”, Njësia Nr. 1 në Shirokë të Suharekës, Inspektorati Farmaceutik ka gjetur produktin medicinal Pulmicort 0.25 mg/ml të prodhuesit AstraZeneca, pa banderolë të Republikës së Kosovës.
Sipas raportit, janë gjetur gjithsej 3 kuti, përkatësisht 60 ampulla. Pala kishte prezantuar faturë furnizimi nga depoja farmaceutike, ku përputhej numri serik dhe afati i skadencës.
Kliko këtu për ta shkarkuar të plotë raportin e Inspektoratit Farmaceutik për këtë barnatore:
Raporti i Inspektoratit Farmaceutik per barnatoren Medical Center Shala Farmacy
Raporti thekson se fillimisht pala kishte pranuar 5 kuti të këtij produkti, por kishte deklaruar se 2 kuti i kishte shitur për klientë.
Përmes procesverbalit, Inspektorati ka urdhëruar që 3 kutitë e mbetura, me 60 ampulla, të karantinohen në barnatore dhe të mos shiten deri në urdhër tjetër.
“Menta Pharm” – Insulinë Lantus pa banderolë dhe pa dëshmi prejardhjeje
Në barnatoren “Menta Pharm” në Suharekë, Inspektorati Farmaceutik ka konstatuar gjetjen e një produkti medicinal pa banderolë të Republikës së Kosovës.
Sipas raportit, produkti ishte insulinë Lantus, prodhuar nga Sanofi, me numër serik të evidentuar në raport dhe me afat skadence deri më 31.07.2027. Gjithsej janë gjetur 3 copë, raporton Front Online.
Kliko këtu për ta shkarkuar të plotë raportin e Inspektoratit Farmaceutik për këtë barnatore:
Pala nuk ka ofruar dëshmi për prejardhjen e produktit. Për këtë arsye, produktet janë konfiskuar dhe janë evidentuar në listat përcjellëse të konfiskimit.
Inspektorati ka urdhëruar që barnatorja të punojë vetëm me produkte të autorizuara për tregun e Kosovës.Raporti i Inspektoratit Farmaceutik per barnatoren Menta Pharm
“Sopa Pharm” – Barnatorja punonte pa farmacist përgjegjës, shërbimi ofrohej nga teknike
Në barnatoren “Sopa Pharm” në Suharekë, Inspektorati Farmaceutik ka konstatuar se barnatorja ishte e hapur, por shërbimi farmaceutik po ofrohej nga një teknike e farmacisë, raporton Front Online.
Kliko këtu për ta shkarkuar të plotë raportin e Inspektoratit Farmaceutik për këtë barnatore:
Raporti i Inspektoratit Farmaceutik per barnatoren Sopa Pharm
Në raport thuhet se në barnatore nuk ishte prezent farmacisti përgjegjës, Mr.Ph. Bledar Rexhaj, dhe as ndonjë farmacist tjetër zëvendësues.
Teknikja e farmacisë kishte deklaruar se nuk kishte qasje në sistemin e barnatores, pasi farmacisti përgjegjës mungonte.
Përmes procesverbalit, pala është urdhëruar që barnatorja të mbyllet dhe të operojë vetëm konform legjislacionit në fuqi. Raporti është shoqëruar me vendim për gjobë.
“Vesa Pharm” – Barnatorja u gjet duke operuar pa farmaciste të licencuar
Në barnatoren “Vesa Pharm” në Suharekë, Inspektorati Farmaceutik ka konstatuar se barnatorja ishte e hapur dhe po operonte pa prezencë të farmacistes apo farmacistit të licencuar, raporton Front Online.
Kliko këtu për ta shkarkuar të plotë raportin e Inspektoratit Farmaceutik për këtë barnatore:
Raporti i Inspektoratit Farmaceutik per barnatoren Vesa Pharm
Sipas raportit, në barnatore ishte vetëm një teknike e farmacisë. Farmacistja përgjegjëse nuk ishte prezente dhe nuk kishte as farmacist zëvendësues të autorizuar.
Teknikja kishte deklaruar se nuk kishin të autorizuar farmacist apo farmaciste zëvendësuese.
Inspektorati ka konstatuar se kjo përbën shkelje të dispozitave ligjore, pasi barnatorja mund të funksionojë vetëm në prezencën e farmacistit të licencuar. Raporti është shoqëruar me vendim për gjobë. / Front Online /
