Kapet në video duke e drejtuar Mercedesin me targa gjermane në trotuar, shoferi në Pejë gjobitet me 400 euro
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është identifikuar shoferi i një automjeti të tipit Mercedes me targa të Gjermanisë, i cili ishte paraqitur në një video të publikuar në rrjetin social Facebook duke kryer kundërvajtje në rrugën “Besnik Lajqi” në Pejë.
Në pamjet e publikuara shihej automjeti duke tejkaluar kolonën në krahun e djathtë, ndërsa më pas duke lëvizur në trotuar dhe duke u rikthyer sërish në shiritin rrugor.

Sipas policisë, ekipi i trafikut në qytet ka arritur ta identifikojë kundërvajtësin, ndaj të cilit është shqiptuar gjoba për shkeljen e rregullave të komunikacionit.
Policia ka njoftuar se, me pëlqimin e shoferit, vlera e gjobës është dyfishuar, bazuar në ligjin 08/L-186 për rregullat e trafikut rrugor. Ky ligj mundëson që drejtuesit me patentëshoferë të një shteti të huaj, në vend të masës së ndalimit të ngasjes për tre muaj, të pranojnë dyfishimin e gjobës monetare.

Policia ka bërë të ditur se do të vazhdojë me identifikimin dhe ndëshkimin e të gjithë shoferëve që rrezikojnë sigurinë në trafik.

