Katër ditë tmerri përjetoi turku i rrëmbyer në Prizren

Shtetasi turk Recep Atsan, 28-vjeçar, është mbajtur i mbyllur për katër ditë në një shtëpi në Prizren. Për rrëmbimin e Atsan, policia ka arrestuar vëllëzërit, Abdulah dhe Yusuf Morina. Me kërkesë të Prokurorisë së Prizrenit, vëllëzërve iu ka caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht për rrëmbimin e 28 vjeçarit, sipas Prokurorisë Themelore të Prizrenit motivi i kësaj ngjarje dyshohet të jetë shkëmbimi i të hollave.

“Shtetasi turk R.A., ka qenë i rrëmbyer nga data 17-21 shtator 2019, dhe se viktima me të dyshuarit janë njohur më parë. Ndërsa, motivi dyshohet të jetë shkëmbimi i të hollave”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë dhënë Gazetës Sinjali.

Për të dyshuarit Prokuroria ka kërkuar paraburgim. Dje, Gjykata e Prizrenit ka njoftuar se atyre iu ka caktuar masa e paraburgimit.

“Për të njëjtit, Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Sidoqoftë, Shtetasi i Turqisë kishte arritur që ta lajmëronte Ambasadën e Turqisë në Prishtinë dhe më pas e ka paraqitur rastin në stacionin policor në Mamushë ndërsa nga aty është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal në Prizren për shkak se kishte pësuar lëndime në kokë.