Kelmendi: S’jam si Pacolli – ai ka pare më shumë, por unë jam më i dijshëm
Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi, ka përulur kreun e Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacollin, duke thënë se është më i zoti dhe më i mençur se ai.
‘’Nuk e kam qëllim vetëm të shkoj e të ulem si zëvendëskryeministër, në atë vend. Unë nuk jam Behgjet Pacolli. Ai ka pare shumë më shumë se unë, por unë kam shumë më shumë dijeni për zhvillim ekonomik të shtetit se sa ai. Kur të duash ne dalim në debate. Unë ia jap dorën për paratë, por atë që mund ta jap unë, s’mund ta bëjë zotëri Pacolli. S’mund të rri aty veç pse po më duhet pozita, hiç’’, është shprehur Kelmendi.
Ai ka thënë se gjasat janë të mëdha që të largohet nga kjo parti. Ai ka vlerësuar se në Qeverinë e mundshme të Vjosa Osmanit mund të mos ketë hapësisë për njerëzit e vjetër.
‘’Nuk kam vendosur nëse do të jem në listë të LDK’së. Nuk po mund të kërkoj sa duhet nga LDK, pasi kemi ambient të ri në LDK, me Vjosa Osmanin. Zakonisht kur bëhet prezantimi i kandidates, merr që ta përzgjedhë aparatin qeveritar që asaj i përgjigjet për t’i shtyrë proceset. Ne që e kemi një moshë të caktuar, mundemi mos me qenë pjesë e asaj strukture që ajo paramendon’’, tha ai në RTV Dukagjini.
Kelmendi tregon se çka i ka thënë Mustafës për këtë çështje. Kelmendi thotë se qëllimi i tij ka qenë gjithmonë të jetë zëvendëskryeministër për ekonomi.
“Nuk mund të jem deputet i thjeshtë sepse nuk di si do të dal në opinion për të kërkuar votë, kur nuk do të di se çka do t’ju ofroj. Gjasat janë shumë më të mëdha që të largohem. Nuk e di, dëshira për të kontribuar për shtet, shumë më e madhe. Më mirë do të ishte që të mos jem fare pjesë e politikës. Të jem pjesë e Qeverisë, në një pozitë ku mund të kontribuoj. Që ekonomia të shkojë përpara”.