24-11-2024

Kërkesa e injoruar e asamblistit “veteran” të Prizrenit, Fatmir Kastratit

Këshilltari nga radhët e AAK-së në Kuvendin Komunal (KK) të Prizrenit, Fatmir Kastrati është njëri ndër anëtarët më të vjetër të këtij organi, sa i përket zgjedhjes në të gjitha përbërjet e pasluftës, dhe për këtë mund të quhet edhe asamblisti veteran i KK-së. Por, si duket këtë nuk po e kanë parasysh, anëtarët e ekzekutivit, pasi një kërkesë e tij, po injorohet prej vitesh, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Ai prej kohësh ka ngritur çështjen e mungesës së ujit të pijes në lagjet “2 Korriku” dhe “11 Marsi”, ku edhe banon, por përkundër kësaj kërkesa e tij nuk është realizuar.

Profesori Kastrati, ka vazhduar ta shtrojë të njëjtën çështje, por pa sukses. Derisa në mbledhjen  paraprake të KK-së ishte gëzuar për marrjen e një përgjigjeje pozitive,  në seancën e fundit të KK-së, kur pa se gjërat nuk po shkonin si duhet, ka reaguar përsëri.

“Me 28.6.2018 i kam shtruar një pyetje Drejtorit të shërbimeve publike lidhur me mungesën e ujit të pijes për lagjet “2 Korriku” dhe “11 marsi”, pyetje të cilën e shtroi që sa vite. Drejtori ma ktheu përgjigjen se në korrik kjo çështje do të zgjidhet, mirëpo po hyjmë në muajin tetor dhe gjendja me furnizim me ujë të pijes mbetet e njëjtë!”, ka thënë ai.

Por, derisa kishte ardhur radha të fliste Kastrati, nga salla ishte larguar drejtori për  Shërbime Publike, Levent Kasëmi.  Kjo bëri që ai t’i kritikonte veprimet e tilla. “Nuk di pse mbahen këto mbledhje, kur drejtorët nuk po rrinë, për të na dhënë sqarime”, tha ai, duke treguar se kanë mashtruar me një përgjigje, pasi banorët e kësaj pjesë të Prizrenit ende nuk kanë ujë./GazetaePrizrenit.net

Fotografia e Fatmir Kastrati

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.