Kërkesa për rritje dhe ulje të dënimit prizrenasit, Reshani, të akuzuar për lëndim trupor
Me pretendimet se gjykata e shkallës së parë nuk ka vlerësuar aq sa duhet rrethanat rënduese në rastin e të akuzuarit për lëndim të rëndë trupor, Besnik Reshani, Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që atij t’i rritet dënimi. Në anën tjetër, mbrojtja e të akuzuarit Reshani, ka kërkuar të kundërtën e prokurorisë, ashtu që Apelit i ka propozuar që të ndryshon aktgjykimin e shkallës së parë dhe të akuzuarit t’i shqipton një dënim më të ulët.
Reshani ishte shpallur fajtor nga ana e Gjykatës Themelore në Prizren, për veprën penale të lëndimit të rëndë trupor, pasi që paraprakisht kishte pranuar fajësinë. Ai akuzohet nga PTH në Prizren, se më 29 shtator 2017, ka lënduar rëndë të dëmtuarin Isar Musliun, duke e goditur disa herë me thikë në trup, me ç’rast, sipas organit të akuzës, i ka shkaktuar atij lëndime të rënda trupore.
Sipas aktakuzës, pas një mosmarrëveshjeje paraprake me të dëmtuarin Musliu, në ditën kritike Reshani e ka ruajtur para shtëpisë së të dëmtuarit ku ai po e parkonte veturën dhe nga dritarja që ishte e hapur e ka sulmuar të njëjtin me thikë në disa pjesë të trupit e më pas ishte larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Të njëjtit, gjykata e shkallës së parë i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej një viti.
Në aktgjykimin e saj, shkalla e parë ka cekur të gjitha rrethanat rënduese dhe lehtësuese të cilat i kishte vlerësuar me rastin e shpalljes së aktgjykimit, mirëpo, me vlerësimin e këtyre rrethanave, nuk janë ndarë të kënaqur as prokuroria e as mbrojtja e të akuzuarit.
Në ankesën e saj drejtuar Apelit, prokuroria është ankuar vetëm sa i përket vendimit mbi dënim, pasi që ka vlerësuar se rrethanat rënduese që ka marr parasysh shkallë e parë, nuk janë vlerësuar aq sa duhet.
Mbi bazën e këtyre rrethanave rënduese, prokuroria ka vlerësuar se ndaj të akuzuarit Reshani duhet të shqiptohet një dënim më i ashpër, pasi që vetëm me një dënim të tillë, sipas prokurorisë, do të arrihej qëllimi i dënimit.
Ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë, për shkak të vendimi mbi dënim, ka ushtruar edhe mbrojtësi i të akuzuari Reshani, avokati Refki Taç. Përkundër faktit se kishte ushtruar ankesë, avokati Taç nuk ishte prezent në seancën e së enjtes, për shkak se siç tha gjykatësja raportuese për këtë rast, Tonka Berishaj, i njëjti e kishte njoftuar gjykatën se nuk dëshiron të mbron më të akuzuarin Reshani.
Sidoqoftë, me ankesën e tij, avokati Taç ka kërkuar nga Apeli, që ndaj të akuzuarit Reshani të shqiptohet një dënim më i butë për shkak se sipas tij, gjykata e shkallës së parë nuk ka vlerësuar si duhet rrethanat me rastin e matjes së dënimit.
Rrethanat lehtësuese që i ka përmendur avokati në ankesën e tij, sikurse që janë fakti se i akuzuari ka bashkëpunuar me organet e drejtësisë, ka pranuar fajësinë dhe është penduar, duhet të ndikojnë që ndaj të akuzuarit të shqiptohet një dënim më i butë me të cilën do të arrihej qëllimi i dënimit,
Vet i akuzuari Reshani ishte i shkurtër në fjalën e tij para kolegjit të Apelit, ku vetëm tha se i vjen keq për atë që kishte ndodhur./betimperdrejtesi/