Kështu pritet të jetë ky dimër në Kosovë sipas parashikimit të meteorologëve

Kosovën edhe një javë e ndajnë nga stina e dimrit dhe as ky vit nuk do të jetë më ndryshe se sa vitet tjera, pasi që pjesa e parë e dimrit do të jetë me temperatura të ulëta.

Kurse, me fillim të javës së ardhshme temperaturat në viset e ulëta malore do të jenë duke filluar prej -3 gradë celsius, ndërsa në viset më të larta do të jenë diku -6 apo -7 gradë celsius.

Kështu tha meteorologu Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, i cili thotë se si do të jetë stina e dimrit, më saktësisht do të dihet pas datës 21 dhjetor.

“Kemi një dimër me reshje mbi mesataren domethënë pjesa e parë e dimrit dhe me temperatura që do të jenë me episode, me temperatura të ulëta por që duke i ruajtur vlerat e viteve tjera. Por sa i përket reshjeve do të ketë më shumë se dimrin që e lamë pas por që temperaturat se sa do të jenë deri në fund të dimrit me siguri se pas 21 dhjetorit do të japim një parashikim më të saktë”, shton Aliu për Kosovapress.

Aliu njofton se gjatë gjithë muajit dhjetor do të ketë temperatura të ulëta nga -4 dhe -5 grandë celsius.

“Pra gjatë këtij muaji fillimisht kishim temperatura të ulëta diku -5, -4 gradë celsius, ato do të vazhdojnë ta mbajnë këtë ritëm por që e veçanta është që do të kemi reshje, të cilat mund t’i rrezikojnë disa zona sepse ne patëm reshje edhe më herët dhe tani toka vetëm se është e ngopur me sasinë e këtyre reshjeve, dhe këto reshje të cilat janë për momentin të cilat mund të bien edhe gjatë natës, do të mund t’i rrezikojnë disa zona në Kosovë,” shton ai.

Po ashtu, ai tregon se që nga fillimi i javës së ardhshme do të ketë reshje, por më pas do të fillojnë edhe reshjet e ulëta të dëborës.

Për më tepër, Aliu ka folur edhe për ajrin e ndotur, ku thotë se drita e kuqe për këtë gjë është vetëm në qytetin e Gjilanit, drita e verdhë është në Mitrovicë, kurse në vendet e tjera cilësia e ajrit është e mirë.