27-04-2024

Këta janë dy zyrtarët e pezulluar të Shërbimit Korrektues lidhur me vdekjen e Deharit

Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK), ka bërë të ditur se ka pezulluar nga puna dy zyrtarë të lartë, për siç thuhet, shkelje të rëndë lidhur me mosveprimet në rastin e ngjarjes së rëndë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, të vitit 2016, kur më 5 nëntor 2016 u gjet i vdekur Astrit Dehari.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin se ka pezulluar nga puna, z. Burim Buleshkaj, ish UD. Drejtor i Departamentit për Operativë Siguri dhe Transport të të Burgosurve në SHKK, aktualisht Udhëheqës për Administratë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, si dhe z. Destan Zogaj, Zyrtar Korrektues, ish UD-Drejtor në Qendrën e Paraburgimit Prizren”, thuhet në një komunikatë nga SHKK-ja.

Aty thuhet se ndaj tyre është iniciuar procedurë disiplinore për shkelje të rëndë lidhur me veprimet, mosveprimet në rastin e ngjarjes së rëndë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, të vitit 2016, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje thuhet se Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës ka vlerësuar se ushtrimi i detyrës në funksionet të cilat i kanë, pengon hetimin disiplinor apo mund të cenojë ushtrimin e përshtatshëm të detyrës.

“Andaj, Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës  vendosë pezullimin e nëpunësve civil, për të vazhduar tutje me procedurat hetimore dhe të rishqyrtimit të të gjitha rrethanave lidhur me ngjarjen dhe përgjegjësitë”, thuhet në komunikatë. / BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.