Këto janë dënimet nëse nuk e respektoni 90 minutëshin e caktuar nga qeveria
Nga sot, ka hyrë në fuqi vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për ndalimin e qarkullimit të qytetarëve jashtë shtëpive apo banesave të tyre, për më shumë se një orë e gjysmë.
Dalja e qytetarëve për nevojat e tyre është përcaktuar në bazë të numrit të parafundit të letërnjoftimit të tyre.
E në rast se nuk respektohen këto masa, do të pasojnë edhe gjoba. Mbrëmjen e së hënës ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar për masat e reja që ka ndërmarrë kjo ministri lidhur me lëvizjen e qytetarëve.
Vitia ka theksuar se në rast të mosrespektimit të këtyre masave, do të pasojnë edhe gjoba.
“Mosrespektimi i masave të përcaktuara në këtë vendim konsiderohet, sipas ligjit, si kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë prej 1,000 Euro deri në 2.000 Euro gjobë për personat fizikë dhe prej 3,000 Euro deri në 8.000 Euro për personat juridikë,
ndërsa personi përgjegjës i personit juridik dënohet prej 500 Euro gjobë deri me 1,500 Euro”, ka theksuar Vitia në konferencën për shtyp të së hënës.
Ky vendim i Ministrisë së Shëndetësisë ka hyrë në fuqi sot, dhe vlenë deri më datën 4 maj.“
Ky vendim nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë do të rishqyrtohet në konsultim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, ekspertët dhe ministritë e tjera të linjës, për të vlerësuar efikasitetin dhe domosdoshmërinë e masave të përcaktuara, si dhe për të vendosur për vazhdimin ose jo të masave përkatëse”, tha Vitia.
Ai theksoi se dalja e qytetarëve lejohet vetëm në raste të nevojës për furnizim me artikuj ushqimorë apo nevoja të tjera, por kjo mund të bëhet vetëm një orë e gjysmë gjatë ditës.
“Për personat fizikë mbi moshën 16 vjeçare lejohet qarkullimi për furnizim me mallra të domosdoshme (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë dhe produkte higjienike) dhe për të kryer detyrat dhe nevojat financiare (pagesat, punët bankare), për 1 orë e gjysmë në ditë, sipas orarit të përcaktuar ditor në bazë të shifrës së parafundit të numrit të tyre personal.
Për shtetasit e huaj që nuk posedojnë numrin personal të Republikës së Kosovës, orari i lejuar i daljes përcaktohet bazuar në shifrën e parafundit të numrit të pasaportës”, ka theksuar Vitia.