24-11-2024

KF “Liria” angazhon avokat ndërkombëtar, kërkon dëmshpërblim për transferimin e Muriqit

Vedat Muriqi është afër për të bërë një tjetër hap gjigant në karrierën e tij, derisa mediat të ndryshme evropiane kanë raportuar se reprezentuesi i Kosovës mund të jetë ‘goditja’ e radhës e klubit italian Lazio, shkruan Gazetasheshi.com.

Transferimi i Muriqit drejt kryeqytetit italian pritet që të mbyllet për shumë e 20 milionë eurove, ndërkohë që nga kjo shumë do të përfitojnë edhe ish-klubet e sulmuesit prizrenas, por jo edhe klubi në të cilin u krijua dhe u zhvillua si futbollistë.

Pikërisht, për këtë arsye FC Liria ka filluar ta përgatit lëndën dhe ta dërgojë në instancat më të larta të UEFA-s për të kërkuar dëmshpërblim për të gjitha lëvizjet e Muriqit që pas transferimit në futbollin turk, pasi që fondi i kompensimit prej 5% ndaj klubit ku u zhvillua futbollisti nuk u takoi prizrenasve.

Pikërisht për këtë arsye klubi “bardhë e zi” ka angazhuar edhe avokatë ndërkombëtarë për ta mbyllur këtë çështje.

Sekretari i klubit, Bashkim Kajdomçaj, i cili njëherit ka ruajtur të gjithë procesverbalet dhe protokollet e ndeshjeve një prononcim për Gazetën “Sheshi” ka prezantuar edhe pasaportën futbollistike, të cilën e ka siguruar nga shtëpia numër një e futbollit kosovar.

Aty shkruan se Muriqi me numër të librezës “ID 7242” për herë të parë është regjistruar si lojtar i Lirisë.

“Vedat Muriqi është krijuar dhe është zhvilluar te Liria, por ne nuk kemi përfituar çuditërisht asnjëherë nga transferimet e tij. Unë personalisht i kam lëshuar fletlëshimin në vitin 2013, të cilin mund edhe ta argumentoj dhe madje kam të ruajtur çdo protokol të ndeshjes për të dëshmuar se futbollisti ka patur paraqitje në Superligën e Kosovës“, ka theksuar fillimisht Kajdomçaj.

Kajdomçaj ka theksuar gjithashtu se klubi tashmë ka angazhuar edhe avokatë për t’u marrë me këtë punë, teksa beson shumë se do ta fitojnë lëndën në fund.

“Veçse kemi angazhuar edhe avokatë ndëkombëtarë për ta mbyllur këtë çështje, e për të cilën besojmë se do të jetë në favorin tonë, sepse ligjet dhe rregulloret e UEFA-së thonë ashtu. Ne jemi të gatshëm për ta dërguar lëndën deri në CAS, sepse jemi të bindur që do ta fitojmë rastin”, tha ndër të tjera Kajdomçaj.

Muriqi ishte pjesë e Lirisë së Prizrenit nga viti 2006, deri në edicionin 2013, teksa më pas u transferua te Besa e Kavajës në Shqipëri.

Më poshtë mund ta gjeni edhe golin e parë të Muriqit me fanellën e FC Lirisë në edicionin 2010/11 ndaj Lepencit të Kaqanikut, ndeshje e cila pati përfunduar e rezultat të barabartë 1-1.

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.