KF “Liria” nderon ikonën e klubit – Përparim Thaçi, pensionon 8-shin
KF “Liria” njoftoi se ka vendosur që ta pensionojë numrin 8, të cilin e mbante heroi i Kosovës, Përparim Thaçi, si lojtar i klubit prizrenas.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, njoftoi se ky vendim është marrë nga klubi dhe tifogrupi prizrenas “ Arpagjik’t”:
Njoftimi:
“FC Liria ka nderin të njoftojë pensionimin e numrit 8, një numër historik që është mbajtur me dinjitet nga ikona jonë, Përparim Thaçi.
Përparim Thaçi ka qenë një simbol i përkushtimit, lidershipit dhe pasionit për futbollin gjatë karrierës së tij me FC Liria. Numri 8, të cilin ai e mbajti me aq shumë krenari, është sinonim i ekselencës dhe përkushtimit ndaj ekipit tonë. Dashurinë dhe pasionin për futbollin, nuk ia shujti as edhe gjendja e rëndë që ishte atëbotë në vendin tonë!
Përveç kontributit të tij në fushën e futbollit, Përparim Thaçi është edhe një dëshmor lufte, një figurë heroike dhe ikonë e qytetit dhe kombit tonë. Sakrificat e tij në shërbim të lirisë dhe pavarësisë së vendit janë një testament i guximit dhe patriotizmit të tij të palëkundur.
Në nder të kontributit të tij të çmuar për klubin dhe vendin, kemi vendosur që ky numër të mos përdoret më në fanellat e klubit, duke e lënë atë të përjetshëm në histori, zemrat dhe kujtimet tona.
Përparim Thaçi, faleminderit për gjithçka që ke bërë për klubin dhe kombin tonë. Kontributi yt do të kujtohet përjetësisht dhe trashëgimia jote do të jetojë përgjithmonë me ne.
Ky vendim i rëndësishëm është marrë nga klubi dhe tifogrupi ynë i përhershëm, Arpagjik’t Prizren”.