22-11-2024

KMDLNJ në Prizren, adresa ku dokumentoheshin dhe pasqyrohej shkelja e të drejtave të njeriut

Një nga organizatat e para joqeveritare në Kosovë ishte Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), që kishte për qëllim sensibilizimin e opinionit vendor dhe ndërkombëtar për shkeljen masive të të drejtave që u bëhej qytetarëve të Kosovës (kryesisht shqiptarëve) pas heqjes së dhunshme të autonomisë së Kosovës,  në vitin 1989, kur edhe u formua.

KMDLNJ ishte burimi i vetëm dhe jashtëzakonisht i besueshëm për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, në bazë të të cilave u raportua nga institucione të ndryshme ndërkombëtare.

Pas Prishtinës, veprimtaria u shtri edhe në qendrat tjera. Në qershor të vitit 1991, kryetari i KMDLNJ-së  Adem Demaçi takoi veprimtarët nga Prizreni: Remzi Ademajn (tani Hero i Kosovës), Kadri Kryeziun, Bashkim Gashin dhe Azem Ramadanin, transmeton “gazetaeprizrenit.net”.

Në këtë rast u vendos që KMDLNJ të formohet  edhe në Komunën e Prizrenit, duke punuar nënkëshillat në Prizren e Zhur. Grupi nismëtar krijoi rrjetin e bashkëpunëtorëve në terren.

Në mbledhjen e Kuvendit të nënkëshillit në Prizren,  për drejtues u zgjodhën: Kadri Kryeziu-kryetar, e Masar Shala-nënkryetar.

Kadri Kryeziu

Për sekretar u zgjodh Bashkim Gashi, që kujton se grupi menjëherë filloi punën në terren për të mbledhur informata për shkeljen e të drejtave e të lirive të njeriut. “Detyra e parë ka qenë mbledhja e informatave për ish të burgosurit politik dhe ushtarët e vrarë në Armatën jugosllave”, thotë ai.

Kadri Kryeziu kujton se Remzi Ademaj, aktivitetin e KMDLNJ-së si në aspektin teknik ashtu edhe në atë të shkëmbimit të informatave e zhvillonte në bashkëpunim me nënkëshillin e Prizrenit.

Në fillim të shtatorit 1996 u zgjodh kryesia e re më këtë përbërje: Azem Ramadani-kryetar, Masar Shala-nënkryetar, Bashkim Gashi-sekretar, si dhe Xhevat Berisha (tani Hero i Kosovës), Ismail Kryeziu (tash dëshmor i Kosovës), Feti Hasani dhe Ferit Tafallari, anëtarë.

Azem Ramadani

Për realizimin sa më të suksesshëm të detyrave punuan  grupet  e profesionistëve juridik, mjekësor dhe të çështjeve teknike-dokumentuese.

Nënkëshilli i KMDLNJ-së ka bërë grumbullimin e fakteve relevante (deklarata, fotografi dhe dëshmi të tjera) për shkeljen e të drejtave e lirive të njeriut, të mbledhura nga anëtarët dhe rrjeti i bashkëpunëtorëve në terren.

“Pas përpunimit pa komentime ato u publikuan në informata ditore dhe raporte periodike”, kujton ish-kryetari Azem Ramadani.

Bashkëpunimin me aktivistë për të drejtat e njeriut, diplomatë, gazetarë dhe misionin e vëzhguesve ndërkombëtar të Kosovës e zhvillonte, nënkryetari Masar Shala.

Gazetari, Qazim Morina kujton se KMDLNJ ishte bërë një adresë ku raportoheshin padrejtësitë, shkeljet, rrahjet dhe vrasjet, të shkaktuara nga pushteti i Milosheviqit. “Në një kohë të vështirë, me raportimet në KMDLNJ, njerëzit sikur gjenin edhe ngushëllimin për dhunën e përbuzjen”, tha ai.

Sipas Morinës, qendra në Prizren po ashtu ka ndihmuar shumë edhe gazetarët lokal, të cilët në mungesë të zyrës, këtu gjetën një strehë jo vetëm për marrjen e informacioneve, por edhe për të punuar dhe njohur me kolegë e përfaqësues ndërkombëtarë.

Pra, që nga koha e suprimimit të autonomisë së Kosovës, e deri në periudhën emergjente pas përfundimit të luftës më 1999,  KMDLNJ ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm, si në aspektin e dokumentimit, ashtu edhe në informimin për atë se çfarë po ndodhte këtu, fillimisht si pasojë e pushtimit nga regjimi serb, e pastaj nga pasojat që kishte shkaktuar lufta, si në njerëz ashtu edhe në dëme materiale./gazetaeprizrenit.net/

 

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.