Komisioni mbikëqyrës për kontrollin e çerdheve në Prizren
Komuna e Prizrenit, përmes një shkrimi në facebook ka njoftuar se, në përputhje me “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19”, ka formuar një komision vlerësues të përbërë prej zyrtarëve nga Inspektorati i Arsimit, Drejtoria Komunale e Arsimit dhe Inspektorati Sanitar, të cilët kanë kontrolluar nëntë objekte të çerdheve (kopshte) të licencuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Në bazë të këtyre vizitave, komisioni ka konfirmuar se tetë prej këtyre çerdheve kanë përgatitje shtesë për krijimin e kushteve të përshtatshme higjienike sanitare për rifillimin e veprimtarisë.
Komisioni në fjalë do të vazhdojë t’i mbikëqyrë çerdhet për respektimin e masave preventive dhe Manualit për mbrojtje nga përhapja e virusit COVID-19, në mënyrë që të sigurohen edhe kushtet për nga aspekti hapësinor në krahasim me numrin e fëmijëve nëpër grupe, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit.