Komuna e Prizrenit konfirmon rrezikshmërinë nga qentë endacakë

Autoritetet e nivelit qendror të qeverisjes kanë vlerësuar rezultatet e deritashme të aksionit për trajtimin e qenve endacakë.

Megjithëkëtë një prej problemeve më të raportuara nga qytetarët në Qendrën e thirrjeve të Komunës së Prizrenit ka të bëjë me agresivitetin e tyre dhe mundësinë e bartjes së sëmundjeve të ndryshme nga ta, shkruan sot Koha Ditore.

Komunarët kanë theksuar se ky problem është krijuar me vite dhe se nuk ka shkop magjik për zgjidhjen e tij të shpejt, ndërkohë që kanë numëruar edhe masat që po merren për menaxhimin e çështjes së qenve endacakë.

“Prej raportimeve nga qendra e thirrjeve ‘Alo Komuna’ dimë se qentë endacakë janë shqetësim i madh për qytetarët e Komunës së Prizrenit. Shqetësimet kryesisht kanë të bëjnë me mundësinë e bartjes së sëmundjeve të ndryshme dhe agresivitetin e këtyre qenve ndaj kalimtarëve”, thuhet në një njoftim të Ekzekutivit të Prizrenit.