01-05-2024

Prokuroria kërkon shpalljen fajtor të punëtorit të Postës në Malishevë, mbrojtja lirimin

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar që punëtori i Postës në Malishevë, Sahit Hoti, që akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Hoti akuzohet se kishte vonuar dorëzimin e një dokumenti në Gjykatën Themelore në Prizren, me çka debitorit Naim Sopaj, i ishte pamundësuar prapësimi i urdhrit përmbarimor.

Kërkesën për dënimin e tani të akuzuarit e ka bërë prokurori i rastit, Ali Uka, në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ku është dhënë fjala përfundimtare e palëve në procedurë.

Prokurori Uka, ka thënë se gjatë këtyre shqyrtimeve gjyqësore dhe nga dëshmitë dhe provat e administruara është provuar se i akuzuari Hoti, e ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Sahit Hoti, avokati Nuhi Krasniqi, ka kërkuar lirimin nga akuza për klientin e tij, pasi siç ka thënë ai, nuk është provuar në asnjë formë pretendimi i prokurorisë.

“Edhe nga seancat e mbajtura në këtë gjykatë u dëshmua plotësisht se i mbrojturi im Sahit Hoti nga Malisheva është i pafajshëm pasi asnjë nga provat e propozuara nga organi ndjekës nuk e vërteton se ai ka kryer veprën penale me të cilën e ka ngarkuar Prokuroria Themelore në Gjakovë”, ka thënë avokati Krasniqi.

Ai ka thënë se ndjekjes penale ndaj të akuzuarit nuk i bashkëngjitet as i dëmtuari, Naim Sopaj.

“Vet i dëmtuari edhe në deklaratën e tij të dhënë në organet e ndjekjes si dhe para kësaj gjykate është deklaruar se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale, kurse vet përmbaruesja private Saranda Kuqi në cilësinë e dëshmitares më 24 gusht 2018 ka deklaruar se ‘Unë konsideroj se nuk ka pasur keqpërdorim nga ana e Postës, por kjo është mosmarrëveshje me debitorin’”, ka thënë mbrojtësi i të akuzuarit Nuhi Krasniqi.

“Në pikën e 11 të komentarit të Kodit Penal të Republikës së Kosovës lidhur me nenin 422 shkruan se ‘Nuk është e thënë që çdo keqpërdorim të jetë patjetër vepër penale. Në raste të caktuara ai mund të ketë vetëm karakter të përgjegjësisë disiplinore ose të ndonjë përgjegjësie tjetër”, ka shtuar avokati Krasniqi.

Kryetari i trupit gjykues Gëzim Pozhegu, shpalljen e gjykimit e ka caktuar më 3 shtator 2018, në ora 09:00.

Sipas aktakuzës, më 15 shtator 2017, Sahit Hoti në cilësinë e personit zyrtar-sportelist në zyrën postare në Postën e Malishevës, nuk përmbush detyrën zyrtare të tij dhe seriozisht i shkelë të drejtat e të dëmtuarit Naim Sopaj, si drejtor i NNP “Sopi” me seli në Prizren në lëndën e përmbarimit ku ka qenë si debitor kishte parashtruar një prapësim kundër urdhrit përmbarimor të përmbaruesit privat, Saranda Kuqi.

Sipas aktakuzës, më 15 shtator 2017, i dëmtuari kishte dërguar prapësimin të vendosur në zarf-pliko në Postën e Malishevës në sportelin ku të njëjtën e ka pranuar sportelisti, tani më i akuzuari Sahit Hoti, i cili e kishte vonuar dorëzimin e këtij dokumenti në Gjykatën Themelore në Prizren.

Sipas aktakuzës, ai një gjë të tillë e kishte bërë pas katër ditësh, por që kishte kaluar afati ligjor i prapësimit, me ç’rast Gjykata më pas kishte hedhur poshtë si të pasafatshme prapësimin e debitorit NNP “Sopi”./betimiperdrejtesi/.

Asnjë koment

Comments are closed.