18-04-2024

Xhevat Berisha – Mësuesi Hero

Më 1 shtator 1998 mësuesi Xhevat Berisha nuk filloi mësimin me nxënësit e tij për t’u dhënë dituri.  Ai këtë ditë për lirinë e nxënësve të tij dhe të gjithë Kosovës dha jetën, duke luftuar heroikisht në vijën e parë të frontit në fshatin Lez. Ishte kjo ndër betejat më të mëdha të UÇK-së,  një nismë e mbarë për çlirimin e Kosovës, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Xhevat Berisha veprimtar i hershëm i ilegales, në vitet 1988-89 ishte në krye të demonstratave në Prizren.  Në vitet e ‘90-ta ishte pjesë e Fronit të Rezistencës Kombëtare, organizim i cili veproi si mekanizëm mbrojtës për Kosovën.

Në këtë kohë ishte pjesë e Këshillit për Vetëmbrojtje i cili funksiononte në Prizren. Në kuadër të këtij organizimi u zhvilluan edhe trajnimet për përdorimin e armëve për të rinjtë e fshatrave të Vrrinit, ku  automatiku i Xhevatit përdorej në këto ushtrime.

Ju bashkëngjit veprimtarëve për pajtimin e gjaqeve. Për funksiononim e sistemit paralel shtëpi-shkolla, ai  lëshoi shtëpinë në lagjen Tusus , duke e vënë në shërbim të edukimit.

Përveç veprimtarisë patriotike, ishte i frymëzuar edhe në krijime poetike, të cilat i hodhi edhe në shkrime të cilat iu botuan pas luftës, me titull “Pishtari i lirisë”.

Kontribuoi edhe në punën e Klubit të Mundjes. Nga viti 1996 ishte anëtar i kryesisë së KMDLNJ-së në Prizren, ku anëtar ishte edhe Ismail Kryeziu (Dëshmor i kombit) dhe veprimtarët tjerë të çështjes kombëtare.

Në vitin 1997 bëhet pjesë e Njësitit të parë të UÇK-së për Prizren. Me 26 shkurt 1998 arrestohet nga policia serbe, percjell “GazetaePrizrenit.net”.

Në ditarin e datës 22 Maj 1998, Ismail Kryeziu shkruan: “Xhevatin e burgosur e kam shok pune dhe ideali. U bë një kohë e gjatë që nuk e kam parë, prandaj ndiej mungesën e tij të theksuar”.

Rezultate imazhesh për xhevat Berisha

Pas daljes nga burgu, Xhevati iu bashkëngjit Njësitit të UÇK-së “Petriti” i cili operonte në fshatra të Vrrinit.

Me formimin e Shtabit të UÇK-së për Prizren, Xhevati u caktua përgjegjës për Zbulim dhe Kundërzbulim (ZKZ). Ishte në vijat e para të frontit në të gjitha luftimet që u zhvilluan. Ai ishte në përcjellje të Komandantit të Shtabit, Remzi Ademajt-komandant “Petritit” , që në pritën e forcave serbe, më 15 gusht 1998, në afërsi të Grazhdanikut u plagos në luftimet, në të cilat ra heroikisht komandanti.

Me 10 qershor 2003 në përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u përjetësua, në shtatoren e ngritur në qendër të Prizrenit, në sheshin ‘Shatërvan’.

Shkolla në lagjen ku ai jetoi dhe veproi tashmë mban emrin e Heroit të Kosovës, Xhevat Berisha.

Autori Gëzim Ajgeraj shkroi monografinë “Xhevat Berisha-Legjenda e Vrrinit”, ndërsa veprimtari Sheradin Berisha realizoi dokumentarin e titulluar “ Pishtari i lirisë”. /GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.