Komuna e Prizrenit: Nuk ka shkarkim të drejtorëve të shkollave, por skadim të kontratave
Komuna e Prizrenit njofton opinionin publik se emërimi i ushtruesve të detyrës së drejtorëve të rinj në disa shkolla të Komunës së Prizrenit, është bërë pasi që kontrata e drejtorëve të këtyre shkollave ka skaduar dhe hapja e konkursit të rregullt është pamundësuar për shkak se Kuvendi Komunal akoma nuk e ka miratuar formimin e Komisionit për përzgjedhjen e drejtorëve të Institucioneve edukative-arsimore dhe aftësuese.
Komuna e Prizrenit ka iniciuar në Kuvendin Komunal kërkesë-propozimin e Drejtorisë Komunale të Arsimit për formimin e këtij komisioni, ashtu siç është e paraparë edhe me Ligjin për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës dhe udhëzimin administrativ për procedurat dhe kriteret e zgjedhjes së drejtorit dhe të zëvendësdrejtorit të institucionit edukativo-arsimor.
Mirëpo kjo kërkesë nuk është miratuar nga Komiteti për Politikë dhe Financa dhe kështu është larguar nga pika e rendit të ditës së mbledhjes së fundit të Kuvendit. Po ashtu kërkesa për votim të këtij komisioni është përsëritur edhe gjatë mbajtjes së Kuvendit, siç mund të shihni në videon e publikuar, mirëpo ajo përsëri nuk ka hyrë në rend të ditës.
Pra përzgjedhja e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të rinj është bllokuar nga Asambleja Komunale, gjegjësisht legjislativi dhe për këtë arsye ekzekutivi ka bërë përcaktimin e përkohshëm të ushtruesve të detyrës së drejtorit brenda sistemit arsimor. Përzgjedhja e U.D. të drejtorëve ka qenë domosdoshmëri institucionale për mbarëvajtjen e proceseve arsimore dhe është bërë në përputhje me kriteret për drejtorë.
Komuna e Prizrenit fton ish-drejtorët që iu ka skaduar kontrata, si dhe të gjithë kandidatët e interesuar, që të aplikojnë në konkursin publik, në momentin e hapjes. Edhe ky konkurs, ashtu siç është realizuar gjatë konkursit të kaluar për drejtorë, do të bëhet në transparencë të plotë, me pjesëmarrje të përfaqësuesve nga sindikata e arsimit, këshilli i prindërve, OJQ-të, përfaqësuesit e mediave, si pjesë monitoruese e procesit.
Lexo edhe:
Haskuka ndërron disa drejtorë shkollash në Prizren, emëron ushtrues detyre