Prizren: Deklarohen të pafajshëm tre të akuzuarit për vjedhje të rëndë në bashkëkryerje, i katërti në arrati

re të akuzuarit për vjedhje të rëndë në bashkëkryerje, Bujar Kadriaj, Agron Kicaj dhe Flurim Mamaj, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Prizren, janë deklaruar të pafajshëm.

Së bashku me ta i akuzuar është edhe Miftar Papaj, mirëpo gjykatësja Vjollca Buzhala bëri të ditur se i njëjti nuk është prezent në sallë dhe se ndaj tij është në fuqi urdhër arresti i lëshuar nga gjykata më 9 mars 2020.

Lidhur me këtë, prokurori Musli Gashi propozoi që ndaj të akuzuarit në arrati të veçohet procedura, me arsyetimin se janë plotësuar kushtet ligjore, kurse ndaj të akuzuarve të tjerë kërkoi të vazhdohet me gjykim.

Kështu, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Gashi, tre të akuzuarit nuk e pranuan fajësinë për veprat që u vihen në barrë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Bujar Kadriaj, avokati Muhamet Shala, i caktuar sipas detyrës zyrtare, propozoi që të vazhdohet direkt me shqyrtim kryesor, seanca e së cilës të caktohet në një afat më të arsyeshëm kohor, me arsyetimin se i mbrojturi i tij dhe dy të pandehurit e tjerë janë me punë jashtë shtetit.

Meqenëse prokurori Gashi nuk e kundërshtoi propozimin e avokatit Shala, gjykatësja Buzhala mori aktvendim që të hiqet dorë nga shqyrtimi i dytë, kurse shqyrtimin kryesor e caktoi për 20 dhe 21 gusht 2020, në ora 10:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të përpiluar në dhjetor të vitit 2017, Bujar Kadriaj, Agron Kicaj, Flurim Mamaj dhe Miftar Papaj po akuzohen për vjedhje të rëndë.

Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, katër të akuzuarit, me 16 maj 2014, në kohë të pavërtetuar, në shtëpinë e të dëmtuarit Nahit Mazrek në Mamushë, në bashkëpunim dhe koordinim te veprimeve mes vete, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vetë apo personin tjetër, kishin depërtuar me forcë në hapësira të mbyllura të shtëpisë dhe duke përdorur mjete të forta si kaçavidë, e kanë hapur derën e hyrjes së shtëpisë dhe në katin e parë kanë marr një mikser elektrik (përzierës materiali), duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale të dëmtuarit.

Sipas dispozitivit të dytë, ndërmjet datës 10-11 maj 2014, në kohë të pavërtetuar, në shtëpinë e të dëmtuarit Amit Bytyqi në Mamushë, të akuzuarit në bashkëpunim dhe koordinim te veprimeve mes vete, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vetë apo personin tjetër, kanë depërtuar me forcë në hapësira të mbyllura të shtëpisë, saktësisht në garazhe, prej nga kanë marrë moto kultivatorin dhe janë larguar në drejtim të panjohur, me ç’rast të dëmtuarit i shkaktojnë dëme të konsiderueshme materiale.

Tutje, sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, më 11 maj 2014, në kohë të pavërtetuar, në Mamushë, të akuzuarit me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vetë apo personin tjetër, në bashkëpunim dhe koordinim te veprimeve mes vete kishin depërtuar më forcë në hapësira të mbyllura të shtëpisë, prej nga kanë marrë moto kultivatorin, vlera e të cilit është rreth 2 mijë euro, si dhe frezat në vlerë 700 euro dhe janë larguar në drejtim të panjohur, me ç’rast të dëmtuarit i shkaktojnë dëme të konsiderueshme materiale.

Kurse sipas dispozitivit të katërt të aktakuzës, më 2 maj 2014, në kohë të pavërtetuar, në Mamushë, të akuzuarit me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vetë apo personin tjetër, ditën kritike, në shtëpinë e të dëmtuarit Nahit Mazrek, shtëpia e të cilit ishte pa meremetim, në bashkëpunim dhe koordinim te veprimeve mes vete kishin depërtuar me forcë në hapësira të mbyllura të shtëpisë, prej nga kanë marrë dy mikserë të fasadës, vlera e të cilëve është rreth 400 euro dhe janë larguar në drejtim të panjohur, me ç’rast të dëmtuarit i shkaktojnë dëme të konsiderueshme materiale.

Me këto veprime, sipas aktit akuzues katër të pandehurit kanë kryer veprat penale të vjedhjes së rëndë në bashkëkryerje. /BetimipërDrejtësi