17-05-2024

Komuna fton prizrenasit për dëgjimet publike për Kornizën Buxhetore 2020-2022

Për dallim nga herat e kaluara, qeveria lokale në Prizren, këtë vit do të organizoj dëgjimet publike me qytetarë, grupe të interesit dhe sektorë të ndryshëm gjatë muajit Prill e jo në muajt, Gusht dhe Shtator, siç ka qenë praktikë e deritanishme.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur drejtori për Ekonomi dhe Financa, Ertan Simitçi, para medieve lokale. Ai tha me këtë rast se, në dëgjimet publike do të merren propozimet, sygjerimet dhe kërkesat e qytetarëve lidhur me projektet dhe shërbimet komunale në kuadër ta Kornizës Afatmesme Buxhetore 2020-2022.

Ai më tej sqaroi arsyen e ndryshimit të kohës së mbajtjes së këtyre dëgjimeve publike, të cilët janë vlerësuar se nuk kanë dhënë efektin e duhur në të kaluarën. Drejtori, Simitçi, iu bëri thirrje qytetarëve që të japin kontributin e tyre duke marrë pjesë në këto dëgjime publike, për planifikimin sa më të mirë të buxhetit, theksoi ai.

Dëgjimet publike do të fillojnë ditën e premte në organizim të drejtorisë për Ekonomi dhe Financa nga ora 10:00- 12:00, ndërsa ajo e Turizmit do të mbaj një dëgjim të tillë nga ora 14:00- 16:00./tvprizreni.info/

Asnjë koment

Comments are closed.