02-05-2024

“Vreshtarët” akuzojnë lojtarët e vet dhe trajnerin e Pontes për manipulim, Rifati paralajmëron padi për shpifje

Grupi i tifozëve të Rahovecit, “Vreshtarët” ka akuzuar dy lojtarë të klubit të basketbollit Deshaun Minnis dhe Fred Richardson, si dhe trajnerin e Ponte Prizrenit, Arbnor Rifati, për manipulim në ndeshjet e para të play-offit në Superligën e Kosovës në basketboll. Në anën tjetër, trajneri Rifati ka paralajmëruar padi ndaj tifozëve të Rahovecit.

Sipas këtij grupi, trajneri Rifati është paguar nga rivali i Rahovecit, Golden Eagle Ylli, në mënyrë që të mos e lejojë Rahovecin të kalojë tutje për përballje me suharekasit.

Në reagimin me shumë akuza, “Vreshtarët” thonë se Rifati ka manipuluar dy lojtarët e Rahovecit me qëllimin që të humbin ndeshjen dhe të lehtësojnë rrugën e Yllit për finale. Të gjitha këto akuza janë mohuar nga trajneri i Pontes.

Dje Rahoveci u mposht ngushtë 70:71 në shtëpi nga Ponte Prizreni në ndeshjen e parë të play-offit. Ndeshja e ardhshme zhvillohet të premten në Prizren.

“Të dashur qytetarë të Rahovecit. Ultras Vreshtarët me vëmendje kanë përcjellë zhvillimet në ditët e fundit rreth klubit ku kemi marrë informacione serioze se dy lojtarë të klubit janë përfshirë në manipulim i cili buron nga klubi jonë fqinj, Golden Eagle Ylli”, thuhet në hyrje të ultimatumit të këtyre tifozëve me titullin “24 orë për sqarim nga Minnis dhe Fred”.

Në kronologjinë e zhvillimeve, “Vreshtarët” thonë se trajneri i Ponte Prizrenit është paguar nga Ylli vetëm që Rahoveci të mos shkojë në gjysmëfinale për përballje me skuadrën nga Suhareka “pasi kështu do të rrezikohet rruga për në finale – dihet se Rahoveci ka vetëm një humbje nga Ylli këtë sezon (ndeshjen e vjedhur e konsiderojmë fitore)”.

“Për të realizuar planin e Yllit, Arbnor Rifati ka manipuluar dy lojtarët e Rahovecit, Deshaun Minnis dhe Fred Richardson. Rifati është menaxher i Minnis dhe manipulimin e lojtarëve e ka realizuar lehtë. Ultras Vreshtarët kanë marrë informacione të sigurta se dy lojtarët e Rahovecit javën e fundit kanë qëndruar shpesh në Prizren, ku janë parë duke qëndruar me lojtarët e Pontes, Elliot Cole dhe Malcolm Canada, e ku në prezencë të tyre ishte edhe menaxheri i tyre Arbnor Rifati. Diskutimi i tyre ishte se si të minimizohej performanca e Minnis dhe Fred, dy lojtarëve kryesorë të Rahovecit, të cilët në këmbim të një karriere sa më të mirë në Evropë kanë pranuar që të realizojnë planet e menaxherit të Minnis, trajnerit të Pontes, Arbnor Rifatit. Show i tyre me ngulitje dhe kinse me kacafytje me lojtarët e Pontes ishte një manipulim perfekt për publikun, që të mendojë se ekzistoi rivalitet dhe përballje e mirëfilltë, gjë që në të vërtetë nuk ndodhi. Minnis dhe Fred patën performanca të dobëta, vetëm një javë pasi ishin të pandalshëm nga Prishtina, pesë herë më e fortë se Ponte – dhe për këtë ka arsye – Minnis rrallë herë depërtonte duke pasuar topin jashtë, e Fred ishte pa disponim”, thuhet në pikën e parë të akuzës nga “Vreshtarët”.

Në pikën e dytë të letrës, “Vreshtarët” thonë se “Arbnor Rifati si një manipulator i shkëlqyer qëllimisht urdhëroi ekipin të humben pesë ndeshje rresht që të bien nga pozita e katërt në të gjashtë, për t’u përballur me Rahovecin, aty ku Rifati e ka lojtarin e tij, Minnis, i cili bindi edhe dy bashkëlojtarët e tij, Fred Richardson dhe James Stanback (i pastërt është vetëm Andre Washington, i cili tregoi profesionalizëm)”.

Në dy pikat tjera, “Vreshtarët” hedhin dyshime edhe për dyminutëshin e fundit, ku thonë se rastësisht u shkri epërsia prej shtatë pikësh e Rahovecit.

“Vreshtarët” më tej thonë se “ekziston një skenar” që të barazohet seria 1 me 1 dhe më pas të vazhdohet me “plan”.

Në ultimatum tifozët e Rahovecit kanë kërkuar nga klubi i tyre të merren masa të menjëhershme dhe u kanë dhënë 24 orë kohë për t’u sqaruar basketbollistëve Minnis e Richardson. Kanë thënë se nëse lojtarët nuk japin maksimumin, nuk do t’i lejojnë as të stërviten.

“Më mirë të luajnë djemtë tanë vendas me nderë dhe me zemër, se sa lojtarë që janë të përfshirë në manipulime në kurriz të klubit tonë dhe qytetit që aq shumë ka pritur këto ditë. Nuk na duhen triumfe e as humbje të rrejshme, por djersë, nderë e gjak në parket për fanellën tonë. Ky është komunikimi jonë i parë dhe i fundit me shkrim për këtë temë. Masat tjera do të jenë konkrete dhe për këtë do të presim 24 orë që të shpëtojmë sezonin e klubit tonë dhe qytetit tonë pasi janë edhe dy ndeshje përpara gjysmëfinaleve ndaj klubit inferior”, thuhet në fund të akuzave të Rahovecit./koha.net

 

Asnjë koment

Comments are closed.