Fatmir Menekshe nga OJQ “Durmish Asllano” ka theksuar se duke respektuar masat e gjendjes emergjente për shëndetin publik është vendosur që 8 prilli të festohet përmes platformave online. Në njërën nga to janë mbledhur urimet e personaliteteve të ndryshme për këtë festë.
“Besoj që vitin e ardhshëm të festojmë festën tonë, pra 8 prillin, edhe me gjuhën tonë zyrtare, që do të miratohet nga Komuna e Prizrenit”, ka thënë Fatmir Menekshe nga OJQ “Durmish Asllano”.
Ndërsa aktivisti dhe gazetari rom, Denis Galushi, ka pohuar se në fjalorin e fundit të publikuar nga aktivisti Latif Demiri, fjalët urrejtje e kufi nuk ekzistojnë në gjuhën rome.
“Mirëpo urrejtja, margjinalizimi edhe segregimi ndaj nesh, për fat të keq, ende vazhdojnë. Po shpresojmë që kjo nga dita në ditë do të zhduket”, ka thënë Denis Galushi, aktivist dhe gazetar.
Dita Ndërkombëtare e Romëve shënohet më 8 prill, pasi që në këtë datë është mbajtur Kongresi i parë botëror i romëve në vitin 1971. Në këtë ditë kremtohen kultura, historia dhe gjuha rome./koha.net