28-05-2020

Shitësit e fidanëve të infektuar me Covid-19 qëndruan edhe në Has

Mëngjesin e së premtes dy persona nga Komuna e Malishevës kishin shkuar për të shitur fidanë në fshatin Rogovë të Komunës se Gjakovës.

Sipas banorëve në këtë fshat, ndonëse tregu ishte i mbyllur ata kanë qëndruar për një kohë të shkurtër, e më pas zyrtarë të Policisë i kanë larguar nga aty, transmeton KOHA.

Çdo të premte në ketë fshat, organizohet tregu, por që me vendim të Qeverisë, tash e disa javë ai nuk po mbahet.

Banorët kanë thënë se askush nuk ka ardhur për të parë nëse dikush ka pasur kontakt me ta gjatë asaj kohe sa kanë qëndruar.

Të njëjtit, më pas kishin vazhduar në Krushë të Madhe të Rahovecit, e që deri më tani janë paraqitur 23 persona që kanë thënë se kishin kontakt me ta.

Që të gjithë janë vetizoluar shkaku se kishin blerë fidanë nga këta dy të konfirmuar me COVID-19.

E në Qendrën e Mjekësisë Familjare, në Rogovë thonë se deri më tani nuk është paraqitur ndonjë person që ka pasur kontakt me ta ose simptoma të virusit.

Sipas kryetarit të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, janë marrë të gjitha masat dhe se janë duke u identifikuar të gjitha kontaktet.

Policia e Kosovës përmes një përgjigje me shkrim, ka konfirmuar se i kishte shoqëruar ata në Polici, por që nuk kanë ndonjë informacion se ata kishin vizituar edhe Rogovën.

“Nuk kemi informata se të njëjtit kanë qenë në fshatin Rogovë, dhe nga aty janë larguar nga policia. Në fakt, nuk kemi raport nga kjo patrullë policore për këtë veprim. Dihet se janë shoqëruar në polici nga fshati Krushë e Madhe“, ka thënë Nysret Xhurkaj, nga Policia.

Në Komunën e Gjakovës janë 9 persona të konfirmuar me Covid-19.

Asnjë koment

Comments are closed.