25-04-2024

Haskuka tregon për Kallëzimin penal ndaj zyrtarëve të PDK-së

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka njoftuar për dorëzimin në mënyrë elektronike të Kallëzimit penal në Prokurorinë Themelore të Prizrenit ndaj zyrtarëve të PDK-së, të cilët siç ka shkruar gjatë ditës së djeshme në mënyrë të paautorizuar kanë hyrë në zonën e karantinuar në fshatin Korishë.

Ai e ka njoftuar këtë përmes faqes së tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”

Shkrimi i plotë:

Sot dorëzuam Kallëzimin Penal në Prokurorinë Themelore të Prizrenit ndaj zyrtarëve të PDK-së, të cilët gjatë ditës së djeshme në mënyrë të paautorizuar kanë hyrë në zonën e karantinuar në fshatin Korishë dhe kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë me personat brenda fshatit, duke rrezikuar kështu përhapjen e virusit në zonat brenda dhe jashtë karantinimit.

Kallëzimi është dorëzuar në mënyrë elektronike nga drejtori i Shëndetësisë dhe njëkohësisht koordinatori i Shtabit Emergjent Lokal, Visar Shehu.

Veprimet e tyre mund të dëshmohen lehtë edhe nga fotografitë e publikuara në rrjete sociale nga vet këta persona, të cilët e kanë shpërfillur vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe me këtë rast kanë kryer vepër penale ndaj mosveprimit sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë, siç parashihet në nenin 250 të Kodit Penal të Kosovës.

Në rast të përhapjes së virusit nga ky rast, atëherë këta do të ishin shkelës edhe të nenit 249 të Kodit Penal të Kosovës, për përhapjen e sëmundjes ngjitëse.

Në vend se të jemi shembull me veprimet tona, persona të tillë të papërgjegjshëm guxojnë të shkelin ligjet, t’i shpërfillin vendimet dhe që është më e keqja, rrezikojnë jetën e shumë të tjerëve duke qenë shkaktarë të mundshëm të përhapjes së virusit, shkruan Haskuka./

 

Asnjë koment

Comments are closed.