Konfiskohen rreth 17 kg drogë e arrestohen katër persona në Prizren e Prishtinë

Në një aksion kundër drogës që u zhvillua në Prishtinë dhe në Prizren, rezultoi me rreth 17 kg drogë të sekuestruar dhe me disa të arrestuar.

Policia ka publikuar edhe pamje të drogës dhe gjësendeve tjera që u sekuestruan.

Në rastin e parë në Prizren: në ora 14:50, hetuesit e antidrogës, kanë intervenua edhe kanë vënë nën kontroll pesë persona të dyshuar. Te njëri nga ta është gjetur substancës narkotikë (dyshohet të jetë marihuanë), me peshë të përgjithshme 121.95 gr., një peshore digjitale, dy mullinj, një pako rizlla dhe dëshmi tjera.

Personat e hasur aty janë shoqëruar në polici për intervistim. I dyshuari V.D., (viti i lindjes 1968, mashkull kosovar), gjatë intervistës në prani të avokatit mbrojtës, ka pranuar se substanca narkotike është e tij.

“Pas intervistimit, prokurori ka lëshuar aktvendim për ndalim të të dyshuarit deri në 48 orë. Kurse, katër personat tjerë janë intervistuar në cilësi të dëshmitarëve dhe janë liruar”, thuhet në komunikatën e PK-së.

Në rastin e dytë në Prishtinë, në ora 17:00, policia ka ndaluar një veturë me targa vendore pasi dyshohej se drejtuesi i saj ishte një shpërndarës i lëndëve narkotike. Tek i dyshuari janë gjetur 55.1 gr. substancë që dyshohet të jetë marihuanë.

Gjatë kontrollit në banesën e të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar: afërsisht 17 kg (16.989 gr.) substancë që dyshohet të jetë marihuanë, 94.7 gr., substancë që dyshohet të jetë kokainë, dy peshore digjitale, një makinë për ngjitjen e qeseve me vakum dhe dëshmi tjera.

Në banesën e S.H., (viti i lindjes 1994, mashkull kosovar), janë hasur edhe të dyshuarit: V.V., (viti i lindjes 1993, mashkull kosovar) dhe A.M., (viti i lindjes 1997, mashkull kosovar) të cilët kishin një sasi substancë mbi tavolinë.

Pas intervistimit, tre të dyshuarit, me aktvendim nga organet e drejtësisë dërgohen në ndalim deri në 48 orë”, thuhet tutje.