28-04-2024

Konica: Gjithmonë e shtyj për vitin tjetër, e vërteta është se nuk do të martohem kurrë

Megjithëse po bëheshin tri dekada që kur vuri këmbë për herë të parë në Amerikë, Faiku vazhdonte të ishte beqar.

“I nderuari Faik Konica i Shqipërisë është në hall të madh”, shkruante gazeta kryesore e Uashingtonit në vitin 1934. “Kur dikush e pa të martën pasdite në mesin e disa zonjave tërheqëse gjatë një kokteji në Mayflower, në vetull i kishte rënë një hije e lehtë ndërsa vështrimin e kishte të trishtuar.

Kjo i bëri përshtypje një miku në tryezën pranë sepse zoti Konica prej natyre është njeri me shpirt të qeshur. U desh të vinte e premtja që të merrej vesh sekreti. Përgjigja, si zakonisht, ishte ajo që thonë francezët: cherchez la femme (kërkoni gruan). Dhe halli ishte se zoti Konica nuk gjente dot grua”.

“Gjithmonë e shtyj për vitin tjetër. E vërteta është se nuk do të martohem kurrë”, thoshte Faiku. Ministri ia njihte të metat vetes. Ai besonte se ishte i ftohtë dhe i tërhequr në marrëdhëniet me të tjerët ndonëse nuk e quante veten tip të ndrojtur. Por dyshonte se të tjerët e shihnin si asket.

Ky beqar, i cili nuk ua tregonte kurrë moshën të tjerëve, shquhej nga të veshurit me elegancë. Mbante kostume shik blu, gri dhe të zinj, secili i shoqëruar me pallto në të njëjtën ngjyrë por pa thile në jakë, një zakon i tij i hershëm që të mos i inkurajonte vajzat t’i ngulnin aty ndonjë lule. Palltot nuk kishin as xhep sipër, sepse Faiku e quante jo sanitare mbajtjen e shamive për qëllime dekorative./ KultPlus.com

(Pjesë nga libri: ‘Faik Konica: Jeta në Uashington’, autor Ilir Ikonomi/ Botim i UET PRESS)

Asnjë koment

Comments are closed.