19-04-2024

Kontingjenti turk i KFOR-it ndihmon shkollën “Lekë Dukagjini” të Prizrenit

Nxënësit dhe mësimdhënësit e shfmu “Lekë Dukagjini” të Prizrenit, këtë vit shkollor e kanë nisur në disa mjedise bashkëkohore të mësimit, falë një donacioni të kontingjentit turk të KFOR-it, në vlerë prej 24 mijë eurosh, përurimi i të cilit është bërë sot, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.

Falë kësaj ndihme tërësisht janë riparuar 8 klasë, të cilat janë pajisur edhe me inventarin përcjellës.

Në ceremoninë e përurimit, përpos ushtarakëve turk dhe përfaqësuese së Konsullatës turke në Prizren, prezentë ishin edhe autoritetet më të larta komunale, përfshirë kryetarin Mytaher Haskuka, kryesuesin e KK-së, Artan Abrashi, Drejtorin Rajonal të Policisë, Nexhmi Krasniqi, si dhe drejtorin e DKA- së, Skëndet Susuri.

Fotografia e Komuna e Prizrenit

Omer Varol, përfaqësues nga kontingjenti turk i KFOR-it ka thënë se ata janë të lumtur sa herë që investohet në arsim, për të krijuar kushte sa më të mira, për përgatitjen e gjeneratës së re.

Drejtori i Arsimit, Skënder Susuri, këtë donacion e vlerësoi si investim kapital nga KFOR-i turk, për të cilin tha se është ndër partnerët më të fuqishëm të qeverisjes lokale në Prizren.

Drejtoresha e shkollës, Jehona Krasniqi-Morina ka thënë ndërkaq projekti ka ndikuar në krijimin e kushteve për një punë më të mirë në këtë institucion edukativ, derisa ka falënderuar donatorin në orientimin e projekteve në këtë shkollë, që sipas saj ka një nevojë për përkrahje kur dihet numri i madh i nxënësve dhe personelit.

Fotografia e Jehona Krasniqi

Edhe mësimdhënës dhe nxënës të shkollës, kanë vlerësuar ndihmën, duke thënë se krijimi i kushteve të reja shumë më të përshtatshme, do të ndikojë në ngitjen e cilësisë.

Shkolla “Lekë Dukagjini” është institucioni i dytë arsimor i nivelit fillor për nga numri i nxënësve në Komunën e Prizrenit. Dy vitet e fundit në këtë vatër të diturisë falë edhe investimeve nga buxheti komunal dhe donatorëve të tjerë janë rregulluar edhe disa kabinete të informatikës dhe janë përmirësuar edhe kushtet brenda objektit./GazetaePrizrenit.net

Fotografia e Komuna e Prizrenit

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.