24-11-2024

Kontrolle në pishinat e Prizrenit, cilat janë problematikat e konstatuara?

Nga katër pishat sa funksionojnë  në  komunën e Prizrenit, inspektorati sanitar që vepron në kuadër të Komunës, pas një kontrolli të tyre ka njoftuar se ka rekomanduar eliminimin e të metave higjienike-sanitare, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.

Prizreni vlerësohet si qyteti më i ngrohtë në vend. Fundi i qershorit dhe ditët e para të korrikut janë karakterizuar me temperatura maksimale, deri në 39 gradë Celsius.

Për të kërkuar freskinë nga vapa, një numër i qytetarëve, që nuk mund të dalin jashtë Prizrenit, sidomos fëmijët dhe të rinjtë, i drejtohen pishinave.

Agim Berisha, Samir Bytyçi e të tjerë, që thanë se zakonisht shkojnë në pishina, sidomos gjatë fundjavës, sa i përket higjienës, thonë se fillimisht uji është i pastër, por pastaj cilësia e tij bie, varësisht edhe nga kujdesi i klientëve, ndërsa më keq është aty ku ndodhen më shumë fëmijë.

Zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Lis Dorambari, ka thënë se sektori sanitar, në kuadër të Inspektorateve, ka bërë inspektimin e të gjitha pishinave dhe për parregullsitë e hasura gjatë inspektimit,  janë lëshuar Aktvendime për eliminimin e të metave higjienike-sanitare.

“Pishinave të inspektuara u është kërkuar që të lidhin kontratë valide me Institutin e autorizuar me Ligj, për kontrollimin e ujit të pishinës (analizat bakterologjike dhe fiziko kimike)”, ka thënë  për portalin “Gazeta e Prizrenit” ai.

Po ashtu inspektimi i pishinave në bazë të përgjegjësive sa i përket kushteve të veprimtarisë, bëhet edhe nga Policia e Kosovës, Inspektorati i Emergjencave dhe Inspektorati i Punës.

Përpos pishinave, një pjesë e prizrenasve gjatë ditëve me vapë, freskim gjejnë edhe në lumenjtë e këtushëm, sidomos në Drinin e Bardhë dhe në Lumbardh./GazetaePrizrenit.net/

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.