07-10-2024

Korisha, model për fshatrat tjera

Mobilizimi i banorëve për një ambient më të mirë Rrallëherë në vendin tonë mund të gjendet një shtrat i lumit pa mbeturina, sikurse kjo e fshatit Korishë. Banorët kujdesin për ambientin e kanë në rend të parë dhe këtë kanë arritur ta bëjnë duke u vetorganizuar.

Fshati ndahet në dy lagje, ajo e gurit dhe e Zenelit, të cilat në formë natyrore ndahen me lumin e fshatit. Këtu, çdo kënd është i mirëmbajtur, madje as shportat e mbeturinave nuk mungojnë.

Kryetari i Bashkësisë së fshatit tregon organizimin që kanë arritur ta bëjnë tash e 10 vjet me disa punëtorë, të cilët janë angazhuar dhe paguhen nga vetë banorët e Korishës. Çdo shtëpi paguan në muaj nga 3 euro për pagesën, pra gjithsej rreth 250 euro secilit nga katër punëtorët, të cilët mirëmbajnë rrugët, kujdesen për mbeturinat, mirëmbajtjen e varrezave, e punë të tjera për të cilat ka nevojë fshati.

Megjithatë, pagesa nuk është e obliguar apo e kushtëzuar në ndonjë formë për banorët dhe ka raste kur disa shtëpi nuk paguajnë për këtë vetorganizim. Ndonëse ka raste kur dhe shfaqen pengesa financiare, kërkesat e fshatit siç duket, kanë arritur t’i përmbushin me këtë numër të punëtorëve. Korisha ka rreth 6000 banorë me rreth 900 shtëpi, ndërsa një pjesë e madhe e banorëve ndodhen në mërgim, të cilët japin kontribut të jashtëzakonshëm që Korisha të ketë ambient të pastër.

Vullneti i banorëve të fshatit Korishë nuk ndalet vetëm me mirëmbajtjen e vendit ku jetojnë. Ata shpeshherë iniciojnë edhe aktivitete humanitare për familjet në nevojë./tvprizreni

Asnjë koment

Comments are closed.