Kryetari i komunës, Mytaher Haskuka, sot ka mbajtur një takim koordinues me drejtorin e Policisë Rajonale në Prizren, Faton Aliu, drejtorin e Spitalit Rajonal, Afrim Avdaj, drejtorin e QRSHP-së, Fadil Kryeziu, si dhe drejtorin e QKMF-së, Xhevat Elezkurtaj.
Sipas njoftimit, me këtë rast është diskutuar për situatën e krijuar pas rritjes së numrit të rasteve me Covid-19 në komunën e Prizrenit dhe si dhe për masat e reja që janë marrë me vendimin e qeverisë.
Shkrimi i plotë i Haskukës:
Pas shtimit të numrit të rasteve të infektuar me COVID-19, sot kemi mbajtur një takim koordinues me drejtorin e Policisë Rajonale në Prizren, Faton Aliu, drejtorin e Spitalit Rajonal, Afrim Avdaj, drejtorin e QRSHP-së, Fadil Kryeziu, si dhe drejtorin e QKMF-së, Xhevat Elezkurtaj.
Gjatë këtij takimi diskutuam për situatën e krijuar për shkak të rritjes së numrit të rasteve, si dhe për masat e reja që janë marrë me vendimin e qeverisë, sipas të cilit nga ora 21:00 deri në orën 05:00 do të ketë kufizim të lëvizjes për të gjithë qytetarët e komunës sonë, si dhe do të ndalohet funksionimi i të gjitha subjekteve që ofrojnë shërbime të gastronomisë (si restorantet, kafiteritë etj) gjatë kësaj periudhe kohore.
Gjatë takimit z. Aliu njoftoi se duke filluar nga ora 21:00, së bashku me inspektorët komunalë do të jenë në krye të detyrës për implementimin e masave, duke kushtuar rëndësi sidomos grumbullimeve në pika të ndryshme, si sheshe dhe qendra tregtare.
Drejtori i QRSHP-së, z. Kryeziu bëri të ditur se aktualisht janë 93 raste aktive të infektuar me COVID-19 nga Komuna e Prizrenit, kurse ai i Spitalit Rajonal, z. Avdaj njoftoi se aktualisht në spital janë të hospitalizuar 44 pacientë, 18 prej të cilëve janë pozitivë, kurse 26 të tjerë me simptoma, duke i pritur rezultatet. Ai theksoi nevojën e shtimit të shtretërve, si dhe të krijimit të hapësirave të pajisura me oksigjenoterapi dhe respiratorë.
Gjatë këtij takimi pika që u theksua ishte që virusi është në mes nesh dhe se aktualisht mundësia e infektimit është shumë e lartë. 🦠
Për këtë arsye, ju lusim që t’i respektoni masat! ✅
Të mbajmë maska! 😷
T’i lajmë duart disa herë në ditë! 🧼
Të ruajmë distancën fizike! 🚶🏻♀️ —-🚶🏻