Koronavirusi: Si do ndryshojë bota gjatë 18 muajve të ardhshëm
Nga Chris Stokel-Welker
Jemi nën karantinë. Raftet e supermarketeve janë boshatisur. Fluturimet janë anuluar
Punëtorët kanë lënë punën, dhe janë shndërruar në mësues të fëmijëve të tyre në shtëpi. Një qeveri konservatore, ka shtetëzuar hekurudhat, dhe po paguan njerëzit që nuk punojnë. Dhe jemi ende vetëm në javën e dytë.
Në më pak se 2 javë, Britania ka përjetuar një lloj trazire sociale dhe politike, që ndodh normalisht vetëm pasi i është prerë koka një mbreti, apo kur turmat mësyjnë në pallatin mbretëror. Por a është ky një moment i shkurtër i solidaritetit kombëtar, apo “normaliteti” i ri”?
Gjithçka varet nga kohazgjatja e krizës së koronavirusit. Ekspertët besojnë se një vaksinë për Covid-19 (sëmundja e shkaktuar nga virusi Sars-CoV-2) është ende të paktën 18 muaj larg, gjë që bën i premtimet e Donald Trumpit se SHBA-ja do të “rihapet” brenda 3 javësh, të duken në rastin më të mirë optimiste.
Në Britani një raport nga studiuesit e Kolegjit Mbretëror të Londrës, vlerësoi se elementët e normalitetit të ri – distancimi social, vetë-izolimi, bllokimet – mund të zgjasin deri në shtatorin e vitit 2021. Pra çfarë mund të ndodhë, ndërsa vazhdon kriza e koronavirusit? Ja se çfarë thonë ekspertët.
Muaji i parë: Infektimet
Një gjë është gati e sigurtë:gjërat do të përkeqësohen, para se të përmirësohen. “Mendoj se epidemia do të vazhdojë me siguri për 3 muajt e ardhshëm”-thotë dr.Pol Hanter, profesor i mjekësisë në Universitetin e Anglisë Lindore. Ai beson se kufizimet e lëvizjeve, do të bëhen më të ashpra gjatë 30 ditëve të ardhshme.
Qendrat e qytetit do të shkretohen. Dyqanet, baret, restorantet dhe baret, do të qëndrojnë të mbyllura. Në mungesë të tyre, do të lulëzojnë supermarketet dhe kompanitë që ofrojnë ushqime. Prilli është muaji kur Shërbimi Shëndetësor Britanik (NHS), pret pikun e parë të pandemisë.
Të gjitha të dhënat, tregojnë se në aspektin e përhapjes së virusit, jemi në rrugën e Italisë. Mbretëria e Bashkuar ka 2.8 mjekë për 1.000 njerëz – një normë më e ulët se Spanja dhe Italia, të cilat kanë 4.1 mjekë për 1000 pacientë. Numri i pacientëve që kanë nevojë për kujdes kritik, do të rritet në mënyrë dramatike, dhe NHS ka të ngjarë të kalojë në kolaps.
Muaji i tretë: Recesioni ekonomik
Shpresohet që deri në korrik, të kemi një ngadalësim të ndjeshëm të përhapjes së epidemisë. “Unë dyshoj derisa ta shohim këtë gjë vërtet”- thotë Hanter, që shton se do të befasohej nëse bllokimi nuk do të ishte hequr deri në atë kohë. “Shpresojmë që do të ndodhë para fundit të majit, por mundet edhe të mos ndodhë”- thekson ai.
Nëse premtimi i Trumpit për të rihapur ekonominë amerikane brenda një muaji do të realizohet, duket se ka gjasa që pas 3 muajsh një numër vendesh të kenë nisur të rikthehen në të paktën në një imazhi të normalitetit. Ndërkohë, pritet që ekonomia të pasojë atë që po ndodh në spitale.
“Gjendja do të jetë e rëndë, por unë personalisht mendoj se gjërat do të përmirësohen nga vera. Nuk e di me siguri, por dyshoj se epidemia do ta humbasë shumë forcën nga fundi i qershorit. Kjo pjesërisht për shkak të masave që ka marrë qeveria, por edhe pjesërisht për faktin se është verë, dhe gjërat do të lehtësohen”– thekson Hanter.
Ndërkohë supermarketet do të riorganzohen me më pak staf. Edhe marrëdhënia jonë me ushqimin do të ndryshojë. Frutat tropikale do të zhduken nga raftet, për t’ja lënë vendin frutave të sezonit. Por rikthimi në normalitetin shoqëror, ka të ngjarë të shkaktojë një raund të ri të infektimeve.
Muaji i gjashtë: Rikthimi në normalitet
Nga shtatori, ne do të fillojmë të llogarisim me efektet e krizës tek buxheti i shtetit. Ka nga ata
që mund të rikthehen në vendet e tyre të punës. Ata që janë pushuar nga puna, do të përballen me pasiguri të mëdha mbi të ardhmen. Ato vende pune, që u zhdukën gjatë krizës nuk ka gjasa që të kthehen, gjë që mund të çojë në një rritje të papunësisë.
Përgjigja mund të jetë një sistem më bujar i mirëqënies sociale. Një e ardhur themelore universale, e cila u aludua në Finlandë dhe Kanada se ka dhënë rezultate të përziera, mund të ishte shkatërruese për klasën punëtore. Për ata, punët e të cilëve mbijetuan, mënyra e punës do të ndryshojë.
Zyrat do të reduktohen në personel, dhe do të shndërrohen në vende ku shkohet vetëm 2 herë në javë për ndonjë konsultim, pasi shumë punë mund të kryhen nga shtëpia. Por nën rimeson e normalitetit, virusi do të rizgjohet. Ndërsa vera largohet, do të shohim një ringjallje të numrin e rasteve të reja me koronavirus, që do të kërkojë një menaxhim të kujdesshëm.
Do ketë sërish bllokime të lëvizjeve, që do të zbatohen në zona të ndryshme të Britanisë. Nga ana tjetër, kjo do të thotë se duhet duhet t’i krijojmë sa më pak probleme shtesë sistemit shëndetësor. “Krishtlindjet e ardhshme apo më tej, unë besoj se do kemi një rritje të dukshme të numrit të lindjeve”- mendon Hanter.
Do të rihapen shkollat dhe universitetet, por me më pak studentë të huaj. Ashtu si punonjësit nëpër zyra, edhe mes tyre do ketë një debat nëse studentët dhe pedagogët duhet të jenë në të njëjtën dhomë. Prandaj shkollat e mesme dhe universitetet, mund të nisin të marrin në konsideratë mësimin online për një periudhë afatgjatë.
Muaji dymbëdhjetë: Qëndrueshmëria
Megjithëse vaksina nuk do të jetë ende gati, stafi mjekësor do të jetë mësuar të përballet me Covid-19 dhe ndërlikimet që ai shkakton. Ndaj që do të ketë opsione më të mira trajtimi. Ndërkohë, mund të ndryshojë mënyra se si qeveria gjurmon përhapjen e virusit.
Një element pozitiv është se me ndalimin e udhëtimeve, emetimet e karbonit në ajër do të bien ndjeshëm. Studiuesit kanë vëzhguar tashmë rënie të mëdha në emetimin e dioksidit të azotit , teksa në pjesë të caktuara të Kinës, niveli i ndotjes është deri në 30 për qind më i ulët se normalja.
Edhe në Italinë veriore, nivelet e dioksidit të azotit, kanë rënë me 40 përqind. Por gjithçka tjetër do të jetë shumë më pak rozë. Me siguri do të jemi ende në recesion, dhe sektorë të tërë të ekonomisë do të duhet të ristrukturohen rrënjësisht. Mund të shohim falimentimin e disa ndërmarrjeve që nuk mund të jenë më fitimprurëse. Por do të ketë një dritë në fund të tunelit:një vaksinë.
Muaji i tetëmbëdhjetë: Rimëkëmbja
Si sëmundje, koronavirusi është këtu për të qëndruar gjatë. Por vaksina, do të lehtësojë ndikimin e saj. Mund të ketë ndryshime të mëdha në rendin botëror. Kina do të jetë e prirur të rifitojë ritmin e vjetër të rritjes së saj ekonomike. Vendet që përfituan nga ndihma mjekësore kineze, si Italia, do të krijojnë lidhje më të ngushta me Pekinin.
SHBA-ja ndoshta do të rishikojë më në fund efektivitetin e një sistemi të kujdesit shëndetësor të bazuar tek tregu. Koronavirusi, do të sjellë një revolucion mbi mënyrën se si jetohet dhe punohet. Testi për shoqërinë tone, është se si do të kujdesemi për ata që do të jenë më të humbur, teksa shoqëria do të riorganizohet. /“Esquire” – Bota.al